E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet shkaktojnë dy të vdekur, tre të plagosur

Burime nga policia bënë të ditur se shpejtësia ka qenë shkak për fatkeqësitë e ndodhura të enjten në Elbasan e Fier


Dy vetë kanë ndërruar jetë ndërsa tre kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e dy aksidenteve që kanë ndodhur ditën e enjte përkatësisht në rrethin e Elbasanit dhe të Fierit. Aksidenti me bilanc më tragjik ishte ai i ndodhur në aksin rrugor Elbasan - Peqin, pas të cilit një person ndërroi jetë teksa tre të rinj u dërguan në spitalin e Elbasanit për të marrë ndihmën e parë.


Burime nga policia bënë të ditur se gjithçka ndodhi rreth orës 17:35 në afërsi të fshatit Pajovë. Si pasojë e përplasjes së automjetit tip "Benz" me targë DR 6832 C me automjetin tip "BMV" me targë PE 1912 A mbetën të plagosur rëndë të katër shtetasit që ndodheshin në dy automjetet e përfshira.


Banorë të zonës dhe shoferë të rastësishëm kanë dhënë ndihmën e parë duke dërguar me shpejtësi të aksidentuarit në spitalin e Elbasanit, por gjatë transportit njëri prej tyre, ende i paidentifikuar, ka ndërruar jetë, ndërsa tre të rinjtë e tjerë ndodhen në gjendje kritike në spital për shkak të plagëve të rënda që kanë marrë.


Mësohet se të plagosurit janë: Stiven Bozo, 20 vjeç, me banim në Durrës, Aleksandër Kurti, 20 vjeç, me banim në Pajovë dhe Saimir Hokja, 23 vjeç, po me banim në Pajovë. Në vendin e ngjarjes shkuan policia dhe ekspertët. Nga hetimet paraprake rezulton se shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.


Por ndërkohë një tjetër aksident me pasojë vdekjen u regjistrua mëngjesin e djeshëm në rrugën nacionale Fier - Vlorë. Gjithçka ka ndodhur në vendin e quajtur Ferras, rreth katër kilometra larg qendrës së komunës Levan. Sipas policisë rrugore të Fierit, rreth orës 05:30, shtetasi Haki Zeka, ka qenë duke udhëtuar në drejtim të Vlorës.


Duke drejtuar një mjet tip "Golf" me targa VL 7501 A, atij i ka dalë përpara një karro, të cilën e ka shmangur, por në këtë moment, ndërsa ka dalë nga krahu i kundërt, është përplasur me një mjet furgon tip frigorifer me targa VL 5798 C, i cili shkonte në drejtim të Fierit. Përplasja ka qenë e fortë dhe drejtuesi i mjetit "Golf", Haki Zeka, 57 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme.


Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të policisë, të cilët kanë mundur të nxjerrin viktimën nga mjeti, i cili pas përplasjes kishte pësuar dëmtime të mëdha duke bllokuar edhe dyert. Sipas policisë, dyshohet se drejtuesi i mjetit "Golf" ka bërë një parakalim të gabuar që i ka kushtuar jetën. Drejtuesi i furgonit është shoqëruar në komisariat për t'u pyetur për këtë ngjarje.


Ky ishte aksidenti i dytë brenda disa orësh në Fier. Mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 18:00, në rrugën nacionale Fier -Vlorë në vendin e quajtur fshati Levan, shtetasi Ervis Hysenshahaj, 21 vjeç, duke drejtuar automjetin tip "Land Rover" me targë H495-PBO ka aksidentuar shtetasin Sulo Suli, i cili ka gjetur më pas vdekjen në qendrën spitalore Fier. Ky shtetas është arrestuar nga policia për veprën penale "shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›