E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, i hapet rruga miratimit të buxhetit

 

KORÇE - Këshilli Bashkiak i Korçës i hap rrugën miratimit të buxhetit, që do të jetë në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme. Ndryshe nga dy mbledhjet e kaluara, rendi i ditës së djeshme kaloi pa probleme. Mes diskutimesh e argumentesh iu dha përgjigje shumë pikëpyetjeve që ishin ngritur, por edhe u sollën mendime për përmirësimin e treguesve ekonomikë të katër çështjeve që u diskutuan dhe që përbënin elementë bazë të buxhetit të vitit në vijim. Mbledhja filloi me analizën e buxhetit 2008, për të vazhduar me strukturën dhe pagat e administratës së Bashkisë, me prioritetet e investimeve për 2009-ën dhe me miratimin e paketës fiskale të taksave dhe tatimeve. Sipas anëtarit të komisionit të financave, Riza Ashimi, të ardhurat e Bashkisë vjet janë realizuar 60 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Këtë vit shpenzimet kapën vlerën e 330 milionë lekëve të reja, por u evidentua fakti se investimet në këtë bashki gjatë vitit të kaluar kanë mbetur në afro 40 për qind. Këshilltarja Elfrida Zefi nënvizoi se në buxhetin e vitit 2009 nuk përfshiheshin 119 milionë lekë, të cilat përbëjnë edhe të ardhurat e trashëguara nga viti i kaluar. Por kryebashkiaku Niko Peleshi sqaroi se buxheti i vitit 2009 nuk ka përfshirë shumën e mësipërme, mbasi ajo shumë është përqindja e garancisë për të gjitha investimet e kryera, (shuma prej 5 për qind që parashikon ligji për investimet) e mbajtur nga bashkia, por edhe një pjesë e investimeve që aktualisht janë në proces dhe që shumë shpejt do t’i tërheqin këto fonde për të përfunduar investimet e filluara. Me miratimin e katër pikave të rendit të ditës iu hap rruga miratimit të buxhetit të 2009-ës.                j.gj

Durrës, buxheti iu prezantohet qytetarëve

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, prezanton te qytetarët projektbuxhetin e 2009-ës, përpara se ta hedhë atë në votim në Këshillin Bashkiak. Infrastruktura rrugore, hapësirat në brendësi të pallateve, sipërfaqet e gjelbra, pastrimi i qytetit etj, ishin ndër kërkesat kryesore të qytetarëve në lidhje me këtë buxhet. “Ky projektbuxhet është pasqyrë e një vendimmarrjeje të përbashkët me komunitetin, u shpreh Dako. Buxheti i Bashkisë së Durrësit është 1.3 miliard lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›