E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Fajtorë dy të rinjtë nacionalistë

 

GJIROKASTER

Prokuroria kërkoi dje shpalljen fajtor për dy të rinjtë nacionalistë, duke i kërkuar Gjykatës së Gjirokastrës dënimin me nga 100 mijë lekë për secilin. Por seanca e radhës gjyqësore, në ngarkim të dy tepelenasve e shndërroi Gjirokastrën në qendrën e protestave nacionaliste.
Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili akuzohen si organizatorë të një tubimi të paligjshëm vitin e kaluar në fshatin Toç të Tepelenës. Përfaqësues të shoqatave nacionaliste ftuan dje banorët e Gjirokastrës të ishin prezent në tubim. Protesta paqësore u zhvillua në sheshin kryesor të lagjes “18 Shtatori”, ku qytetarët sfiduan motin e keq me erë e shi. Për herë të parë një subjekt politik, është vënë në mbështetje të të akuzuarve për tubim ilegal, më 6 qershor të vitit të kaluar. Kreu i Lëvizjes G 99, Erjon Veliaj, garantoi se forca e tij politike do të jetë përkrah dy të rinjve. Ata së bashku me bashkëmoshatarë të tyre, kërkuan nga qeveria shqiptare shkarkimin e kryebashkiakut të Himarës Vasil Bollano dhe prefektit të Gjirokastrës, Spiro Ksera nga postet drejtuese, duke i akuzuar ata si mbështetës së tezave antishqiptare greke. Pas tubimit të djeshëm, pjesëmarrësit u zhvendosën drejt Gjykatës së Faktit, për të qenë pjesë e seancës së radhës. Organi i akuzës, përfaqësuar nga prokurori Përparim Melaj, në pretencën e dhënë kërkoi dënimin me 100 mijë lekë për secilin ndaj dy të rinjve. Prokurori argumentoi përpara trupit gjykues, veprën penale që dy të rinjtë kanë konsumuar më 6 qershor të vitit të kaluar. Por kjo u kundërshtua nga avokati mbrojtës, Xhafer Meci. Ky i fundit i kërkoi trupit gjykues që klientët e tij të lirohen menjëherë nga akuzat dhe Prokuroria të fillojë hetimet ndaj drejtuesve të policisë lokale, që nuk kanë lejuar banorët e fshatit Toç të rrethit të Tepelenës të protestojnë paqësisht. Në seancën e djeshme ishin të pranishëm përfaqësues të disa shoqatave atdhetare, si ajo e “Mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve”, “Çamëria”, “Fieri” etj. Seanca e radhës në ngarkim të Hasanbegajt dhe Halilit, do të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme, ku pritet vendimi përfundimtar i gjyqësorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›