E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: LSI, e para më 28 qershor

 

Aristir Lumezi

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim i cilësoi manipuluese dy sondazhet e shpallur ditët e fundit. Ilir Meta tha dje gjatë një dalje për mediat se, pavarësisht sondazheve të PD-së dhe PS-së, LSI mbetet forcë e parë dhe do të qëndrojë e tillë deri në zgjedhjet e 28 qershorit. “Përsa i takon Fazlliç-sondazheve të fundit të bëra publike, mund t’ju them juve dhe të gjithë shqiptarëve, se Shqipëria sot po zien, se Shqipëria po bëhet gati për një ndryshim shumë të madh për t’u ndarë me politikën e vjetër të dy lidershipëve të vjetër dhe të konsumuar tmerrësisht nga pushteti dhe korrupsioni. Unë mund t’ju them juve, se as sondazhi i Gani Bobit dhe as sondazhi i Gani Zgobit nuk e ndalojnë dot dhe nuk e pengojnë dot këtë ndryshim të jashtëzakonshëm që po ndodh në Shqipëri çdo ditë”, tha Meta. Sipas tij, “Lëvizja Socialiste për Integrim është sot 25-27 për qind. Është sot në këto shifra, kur para një viti ka qenë 11-12 për qind. Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë forcë e parë në 28 qershor së bashku me koalicionin e saj”. Ndërkaq dje, sipas zyrës së shtypit të LSI-së, nënkryetari i LSI, deputeti Dritan Prifti në një letër zyrtare dërguar kompanisë “Zogby”, u interesua lidhur me mënyrën e kryerjes së sondazhit në Shqipëri dhe nëse është kryer nga amerikanë apo nga partnerë të saj në Shqipëri. Asistentja e Drejtorit të Medias e “Zogby International”, Stephanie DeVries, i përgjigjet përmes një letre deputetit të LSI-së, Prifti ku i shkruan se, “për arsye administrative dhe për shqetësime të sigurisë, ‘Zogby International’ nuk mund të bëjë publike ndonjë informacion në lidhje me partnerët në terren (vendorin) me të cilët ne po punojmë gjatë këtij procesi sondazhesh. Kjo është jetike për të mbrojtur integritetin e procedurave profesionale të sondazheve dhe rezultateve tona, por duhet që të siguroheni që ne do ta bëjmë publike në fund të projektit të gjithë informacionin në lidhje me ndonjë nga partnerët tanë në terren që na ka asistuar”. Kryetari i LSI-së gjatë komunikimit me mediat paraditen e djeshme tha se, “në 28 qershor shqiptarët do t’i hedhin në koshin e plehrave edhe sondazhet e Gani Bobit, edhe sondazhet e Gani Zgobit. Kjo është një histori, e cila ka përfunduar”. “Po të shikoni, edhe sondazhi i Gani Bobit, edhe sondazhi i Gani Zgobit, kanë vetëm një element të përbashkët, sepse diferencën për PD e kanë 20 për qind, - kanë gjoja rezultatin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sepse është një pakt kundër ndryshimit të kësaj statusquo-je të vjetër, që jo vetëm po i rrjep shqiptarët, që jo vetëm po i varfëron ata çdo ditë, por që kujton se me Fazlliç- sondazhet do të mundet edhe t’i dekurajojë për ndryshimin për të cilin shqiptarët nuk mund të ndalen dhe për të cilin Lëvizja Socialiste për Integrim dhe të gjithë ato faktorë të përgjegjshëm dhe atdhetarë, politikë-socialë dhe të shoqërisë civile, janë të vendosur që ta udhëheqin në 28 qershor”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›