E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, kalonin klandestinë drejt kufirit, prangosen 3 të rinj

>Tre të rinj përfundojnë në prangat e policisë shqiptare, pasi kalonin ilegalisht drejt Greqisë grupe klandestinësh, duke i pajisur madje dhe me dokumente të falsifikuara. Të prangosurit janë kapur në afërsi të kufirit grek në rrethin e Devollit jo shumë larg pikës kufitare të Kapshticës gjatë orëve të vona të mbrëmjes së enjte, ndërsa arrestimi i tyre është kryer vetëm gjatë mëngjesit të djeshëm. Çmimi për një klandestin shkonte në vlerën e 500 eurove, ndërkohë që mes grupit është kapur dhe një person që kishte disa dokumente të falsifikuara, i cili ka përfunduar gjithashtu në burg si vetë trafikantët. Marko Hysolli, 24 vjeç, si dhe Joanis Hajdini, 28 vjeç, të dy nga Korça janë të arrestuarit nën akuzën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, të cilët kanë ndihmuar një grup prej pesë personash për të hyrë në Greqi në mënyrë klandestine nëpërmjet kufirit shqiptaro-grek. Në grupin e emigrantëve ekonomikë që synojnë shtetin grek policia jonë kufitare ka kapur dhe Erald Jonuzin, i cili kishte me vete disa dokumente greke të falsifikuar. Ndonëse ishte klandestin, edhe Jonuzi është prangosur por nën akuzën e falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve. Ndërsa klandestinët e tjerë, pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë, nuk ka ndodhur kështu me 24- vjeçarin edhe ky banor i qytetit të Korçës, i cili kishte paguar si dhe të tjerët 500 euro për të hyrë në territorin e shtetit fqinj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›