PS Durrës: Pjesëmarrësit në mitingun e PD-së janë marrë me detyrim
>Dega e Partisë Socialiste në Durrës, nëpërmjet një deklarate për shtyp ka protestuar për mitingun e pasdites së të enjtes, që është zhvilluar në pallatin e sportit "Ramazan Njala". Zëdhënësja e PS-së së Durrësit, Voltisa Xhokaxhiu është shprehur se në dy ditët e fundit në degën e PS-së janë bërë shumë denoncime nga punonjës të administratës, të cilët janë detyruar për të qenë pjesëmarrës në mitingun e Berishës.
Në deklaratën për shtyp thuhet se ky kryeministër, në vend që të pyesë për gjendjen e qytetit të dytë të vendit, për gjendjen e kanalizimeve të lëna totalisht pas dore, të cilat çojnë në përmbytjen e qytetit sa herë bie shi, ai urdhëron drejtorët që këta punonjës të marrin pjesë në cirkun e tij politik, duke shfrytëzuar varfërinë në të cilin po ai kryeministër e ka çuar familjen e atij punëtori, duke e kërcënuar këtë të fundit me vendin e punës nëse nuk merr pjesë në farsën e tij. Në deklaratën e mëtejshme të PS-së së Durrësit, thuhet gjithashtu se opozita është e shqetësuar se nxënësit po nxirren nga orët e mësimit për të marrë pjesë në një eveniment ku nuk duan të shkojnë, sepse infermierët dhe mjekët heqin bluzat e bardha dhe nuk gjenden pranë qytetarit pasi janë kërcënuar me vendin e punës për pjesëmarrjen në farsën e Berishës, se punëtori i KESH-it nuk po punon që të përmirësohet situata tashmë tragjike e furnizimit me energji, se nuk ka ngelur asnjë institucion në varësi të qeverisë pa u thirrur në cirkun e drejtuar nga kllouni Berisha, i cili tashmë ka filluar të gënjejë edhe veten. "Kryeministri i vendit, në vend të pyesë nxënësit e shkollave për kushtet e klasave, nëse është mbajtur apo jo premtimi i 25 nxënësve për klasë, nëse kanë ngrohje në ambientet e mësimit, nëse mosha e tyre është vërtet mosha e internetit siç i është premtuar, kanë apo nuk kanë të paktën një kompjuter në shkollë, kanë apo nuk kanë energji elektrike në ato shkolla e në ato laboratorë në orët e pasdites, me paturpësinë më të madhe ka urdhëruar drejtorët e këtyre shkollave të nxjerrin nxënësit nga mësimi e ti rreshtojnë në mënyrë drejtvizore përballë Kryeministrit. Ky kryeministër nuk interesohet për familjet e pensionistëve, nuk jep asnjë shenjë njerëzie e të pyesë si e kalojnë ata muajin, sa i kanë shkuar borxhet dhe listat për të blerë ilaçet apo për tu ushqyer atë muaj. Me sjelljen e tij arrogante kryeministri tregon se asnjë nga këto probleme nuk i intereson, e rëndësishme për të është të tregojë forcën e tij të dhënë nga pushteti. Ne si opozitë nuk jemi aspak të shqetësuar nga kjo sjellje, pasi nuk është hera e parë që kryeministri shfrytëzon postin dhe pushtetin e tij për të shkelur kodin e etikës, por ky është rasti më flagrant pasi kësaj radhe po shkelet edhe kodi penal: Po shkelen vetë themelet e demokracisë dhe po shkelet liria e çdo qytetari në pjesëmarrjen apo jo në të tilla evente". Sipas PS-së së Durrësit, kriza që ka mbërthyer vendin nuk do ta shpëtojë këtë qeveri, e cila mundohet me farsa të tilla të tregojë një realitet krejt ndryshe, një realitet që qeveria Berisha akoma nuk e ka parë, një realitet me varfërinë gjithnjë në rritje, me biznese gjithnjë e më shumë në vështirësi e më pranë falimentimit, me pensionistë me lista ushqimesh e ilaçesh gjithnjë e më të gjata.