E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli diskuton për listën e kandidatëve për deputetë në Vilën 31

>Ka krijuar një jehonë të lehtë, veprimi i zonjës Topalli si lidershipi i demokratëve shkodranë, të cilët në lartësitë e tyre vendore janë thirrur nga ajo në Vilën 31 në Tiranë. Në fakt pikërisht dreka e punës e shtruar në Tiranë në këtë vilë, ka pasur një farë rëndësie, sepse ka qenë larg syve dhe veshëve të demokratëve të qarkut të Shkodrës. Në këtë takim, nga të dhënat e para mësohet se zonja Topalli ka dashur jo vetëm të parashtrojë një listë të demokratëve të përzgjedhur për përfaqësim në listat e qarkut në zgjedhjet e ardhshme, por edhe të marrë mendime nga krerët lokalë të qarkut. Në fakt ka heshtje të plotë në Shkodër për bisedën e takimin e punës në Tiranë, por nga kreu i demokratëve të Malësisë së Madhe ose më mirë sekretari Ismet Bala është thënë se nuk ka qenë takim për tendera, por për punë dhe objektivat e PD-së për 2009-ën. Gjithsesi, nga burime të brendshme në mbledhje është kundërshtuar një pjesë e listës ose më saktë për disa emra ka pasur pakënaqësi. Megjithatë PD-ja në qarkun e Shkodrës dhe sidomos në qytet, është një forcë e cila vepron si në gjysmë ilegalitet pasi duke qenë se është në pushtet dhe fituese gjithmonë në qytetin më të madh verior, pothuaj nuk hap asnjëherë dyert e godinës dhe nuk ka zhvilluar qoftë edhe një konferencë për shtyp. Po ashtu edhe zgjedhjet e plota nuk janë zhvilluar asnjëherë dhe nuk ka kurrfarë transparence normale, si forca kryesore politike në qark. Emrat e listave patjetër qo po shkojnë drejt një diskutimi vertikal dhe jo në bazë dhe në shtrirje horizontale, por edhe disa ndryshime që edhe lidershipi demokrat i shikon të rëndësishme me sa duket do të jenë të vështira, nga që asgjë nuk del zyrtarisht dhe nuk bëhet normalisht në sy të anëtarësisë dhe publikut.Kurse objektivi edhe kësaj radhe mësohet të jetë maksimal si në qark dhe qytetin e Shkodrës, dhe kjo është diskutuar edhe në Vilën 31 në Tiranë.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›