Korçë, katër raste të reja të dyshuara me AHIN1
Katër raste të reja të dyshuara si mbartëse të virusit AH1N1 i janë shtuar listës së pacienteve, që po trajtohen në spitalin e qytetit të Korçës me tamiflu. Një banor i qytetit të Leskovikut, një i moshuar nga Kolonja, një student nga qyteti i Korçës dhe një tjetër i moshuar nga fshati Barç, kanë qenë personat e fundit që dyshohet së janë prekur nga virusi i rrezikshëm. Rastet e dyshuara janë paraqitur gjatë 24 orëve të fundit në repartin infektiv dhe bluzat e bardha
kanë nisur menjëherë trajtimin me tamiflu, krahas atij me antibiotike. Shefja e shërbimit në Sanatoriumin e Korçës, Diana Alicëckolli, thotë se një grua 56-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë, ndërkohe që numri i personave të dyshuar se janë prekur nga virusi tashmë ka shkuar në 15, për të cilët priten përgjigjet zyrtare dhe konfirmimet nëpërmjet analizave laboratorike që kanë ardhur dy ditë më parë në Tiranë. Mjekja pohon për median se për pese nga pacientet është marre konfirmimi dhe kanë rezultuar pozitive, ndërkohë që mes të dyshuarve të tjerë ka të rinj dhe persona që nuk kanë vuajtur më parë nga sëmundje kronike dhe komplikacione nga rrugët e frymëmarrjes. Të gjitha rastet janë paraqitur më temperaturë të lartë dhe mjekët po kryejnë trajtimin e këtyre pacientëve me tamiflu dhe antibiotike për pneumoni akute dhe komplikacione të renda respiratorë dhe të mushkërive. Mjekët kanë ngritur shqetësimin se ka një shtim të shpejtë të rasteve që dyshohen si të infektuar me virusin e rrezikshëm, ndërkohë që bëjnë apel që qytetarët të paraqiten menjëherë pranë qendrave shëndetësore pas shfaqjes se temperaturës dhe gjendjes se një virozë gripale. Sipas mjekeve, pjesa më e madhe e pacientëve kanë mbërritur në spital, pasi kanë qëndruar për disa ditë në shtëpi me gjendje gripale, duke neglizhuar marrjen në kohë të mjekimeve. Në Korçë vetëm brenda dy javëve të fundit kanë gjetur vdekjen dy persona. Për të dyja rastet është marrë konfirmimi se kanë qenë të prekur me gripin e derrit.
Last Updated on E Hene, 11 Janar 2010 21:51