Opera e të rinjve, një projekt punësimi për studentët e arteve
Akademia e Arteve dhe MTKRS, nisma në ndihmë të të rinjveFakulteti i Muzikës në Akademinë e Arteve për ti ardhur në ndihmë studentëve të rinj ka menduar që të krijojë Operan e të rinjve. Kjo nismë e cila është marrë nga ky fakultet ka si qëllim tu shërbejë të rinjve, të cilët në kushtet e tregut muzikor në vendin tonë nuk arrijnë të gjejnë hapësirat e mjaftueshme për të zhvilluar aktivitetin e tyre si artistë. Opera e të rinjve një projekt i cili do të menaxhohet nga Akademia e Arteve do tu vijë në ndihmë dhe atyre studentëve,
të cilët pas diplomimit nuk arrijnë të gjejnë punë. Ndërkohë pranë këtij fakulteti, bëhet ditur se veprat e para do të jenë nga provimet e vetë studentëve. Ky projekt do të ketë një ansambël fiks, i cili do të jetë gjithmonë në dispozicion të studentëve të arteve, gjë e cila bëhet për të afirmuar dhe për tu dhënë mundësi artistëve të rinj të dalin në tregun muzikor. Ky projekt ka gjetur mbështetje nga Ministria e Kulturës, po ashtu priten dhe mbështetje nga fondacione shqiptare e të huaja që janë të interesuar që të investojnë në fushën e krijimtarisë muzikore. Ndërkohë që një tjetër projekt i Akademisë së Arteve është të nxisë të rinjtë e saj për të dhënë koncerte, duke u gjetur një pjesë të sponsorëve. Kështu mësohet se nga viti 2008 deri tani janë organizuar mbi 90 koncerte me pjesëmarrjen e studentëve e pedagogëve të Fakultetit të Muzikës. Repertori që luhet në këto koncerte zgjidhet nga provimet e tyre. Në vijim të këtij muaji do të shfaqen edhe koncerte të tjera, të cilët janë të gjithë pa bileta, sipas një tradite, e cila ka nisur nga vitet 90. Në Akademinë e Arteve stina koncertore e iniciuar nga Fakulteti i Muzikës është një aktivitet, që i ka shërbyer gjallërimit dhe dinamikës të jetës kulturore e artistike në kryeqytet. Në vijim të saj ajo ka sjellë për publikun një seri koncertesh, të cilat kanë marrë duartrokitjet e publikut, që ka qenë i pranishëm në këto koncerte. Në vijim të tyre koncerti i radhës në skenën e Akademisë së Arteve solli në skenë studentët Erjola Haka në violinë dhe Ali Nezjaku në piano me pjesë nga Moxart,Bethoven, Amadeus etj. Një ditë më pas një prej historive më të bukura të dashurisë erdhi me tingujt pianos në koncertin e datës 15 dhjetor. Pjesa Romeo e Zhuljeta erdhi nën interpretimin e studentes Jona Krasniqi në piano, por në këtë mbrëmje muzikore pati dhe pjesë nga kryevepra të tjera botërore. Kështu për publikun u interpretuan dhe pjesë nga krijimtaria e Puçinit, napolitane, aria e Kavaradostit nga opera Tosca etj. Mbrëmja të tjera koncertore kishin ka rezervuar të tjera pjesë muzikore dhe operistike. Pjesë nga vepra Otello erdhi nga studenti Roel Llupa, ku interpretoi në piano Laura Kushta. E ndërkohë që kjo stinë koncertore gjatë vitit që lamë pas u mbyll me koncertin në skenën e arteve, ku veç pjesëve nga vepra të kompozitorëve botërorë erdhën dhe pjesë nga Lola Gjoka, interpretuar nga Blerta Zani. Stina koncertore në Akademinë e Arteve do të rinisë sërish me pjesë nga opera Madam Butterfly, ku në skenë do të vijë tenori i ri Ermald Pepa. Drejtuesit e kësaj stine koncertore janë shprehur se qëllimi parësor për këtë aktivitet ka qenë nxjerrja në skenë e studentëve, pasi askush nuk mund të bëhet artist duke qëndruar në shtëpi, dhe sipas tyre studentët duhet të mësohen me skenë. Ata kanë vlerësuar performancën e pjesëmarrësve në koncerte e realizuara gjatë kësaj stine koncertore dhe thonë se në syrin e akademikëve, kjo stinë rezultoi mjaft e suksesshme. Vepra të njohura të kompozitoreve botërore kanë ardhur edhe më parë në skenë për publikun në vijim të kësaj stine koncertore. I veçantë ka qenë dhe koncerti që u zhvillua disa kohë më parë. Emra si sopranoja Sindi Mamaqi (studente e pedagoges Xhovana Doko), e shoqëruar në piano nga Ingrid Pulizo interpretoi arien e Musetes "Quando men vo" nga opera "La Boheme" e Giacomo Pucinit. Në pjesën e dytë Mamaqi erdhi me "Për mu paska ken kismet" nga muzika popullore dhe "Il Bacio" nga kompozitori italian Luigi Arditi. Tingujt në piano erdhën në këtë mbrëmje nga: Iliriana Gjoni (studente e prof. Nora Çashku) me pjesën "Partita nr 6" nga Bach, Albina Tarifa (studente e prof. Nora Çashku) me pjesën "Improntues" nga Schubert dhe Jona Karasani (studente e prof. Anita Tartari) me pjesën "Rapsodi" nga Liszt. Po ashtu i veçantë ishte dhe koncerti, ku në repertor ishin pjesë nga Berrioz, Paganini, Chopin, Albinoni, Puçini, etj, që u luajtën në piano, violinë, kitarë, por nuk munguan sopranot dhe tenorët.Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Hene, 11 Janar 2010 20:44