Korçë, kërkohet burg i përjetshëm për anëtarët e bandës së Pojanit

Blerim Berberi
KORÇE – Burgim të përjetshëm kërkon Prokuroria e Korçës për dy prej tre anëtarëve të bandës së Pojanit. Ata akuzohen për disa ngjarje, ku më e rënda është ajo e vrasjes së pronarit të një dyqani, në mars të vitit të kaluar në fshatin Pojan.
Prokurori i kësaj çështjeje, Edmond Shytko, ka kërkuar gjatë dhënies së konkluzioneve të tij, dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurit Blerim Berberi, 24 vjeç dhe Nerton Felaj, 25 vjeç. Ndërsa për 17-vjeçarin M.Ropi është kërkuar dënimi me 9 vite burgim. Ky i fundit është lehtësuar më shumë se dy të pandehurit e tjerë, jo vetëm për shkak të moshës, por sepse gjatë hetimeve ka bashkëpunuar për të dhënë dëshmi që Prokuroria i ka hedhur në dosjen e saj, lidhur edhe me krime të tjera të të rinjve Blerim Berberi dhe Nerton Felaj. Edhe pse ka qenë pikërisht ky 17-vjeçar autori që ka qëlluar me armë

Nerton Felaj
73-vjeçarin Nexhat Gega, i cili ruante natën magazinën e dyqanit të tij ushqimor, mundi të marrë një dënim më të lehtë sesa dy bashkëpunëtorët e tij. Ai ka dëshmuar gjatë hetimeve se së bashku me dy të rinjtë e tjerë kanë marrë pjesë edhe në krime të tjera, grabitje me armë dhe maska, plagosje në prita në Qafën e Zvezdës, vjedhje me armë, vjedhje dyqanesh e lokalesh dhe deri ngjarjen e fundit kur dhe u kapën, atë të vrasjes së bashkëfshatarit të tyre në magazinë. Në këtë mënyrë, prokuroria, duke pasur bashkëpunimin e minorenit, ka zbardhur edhe gjashtë krime të ndodhura në periudhën kohore të viteve 2004-2005, si grabitje me armë dhe maska e plagosje që kanë qenë problematike në vendin e quajtur Qafa e Zvezdës, në afërsi të fshatit Pojan, ku banonin këta tre të pandehur, si dhe tri krime të tjera të vitit 2007, të kryera prej tyre. Meqenëse rezultojnë autorë të disa krimeve të rënda, krahas asaj të 73-vjeçarit Gega nga fshati Pojan, Prokuroria e Korçës ka kërkuar dënimin maksimal të dy prej të rinjve që janë përfshirë në këto ngjarje kriminale dhe një dënim prej 9 vitesh burg për të penduarin. Reagim të ashpër kanë pasur dhe familjarët e viktimës në sallën e gjyqit, të cilët kërkonin dënim me vdekje për të akuzuarit për vrasje. g.a
Vrasja e pronarit
Mbrëmjen e 24 marsit të vitit të kaluar u gjet i vrarë 73-vjeçari Nexhat Gega, banor i fshatit Pojan. Ai u qëllua për vdekje në magazinën e ndërtimit, teksa ruante natën mallin brenda saj. Nexhat Gega, 73 vjeç, nga fshati Pojan i Korçës, u gjet i vrarë mëngjesin e nesërm brenda objektit. Sipas policisë, djali i 73-vjeçarit Gëzim Gega ka konstatuar i pari vdekjen e të atit, kur shkoi të hapte në mëngjes magazinën. Pasi ka gjetur trupin e pajetë dhe të gjakosur të të atit, ai sinjalizoi menjëherë policinë. Mësohet se viktima që kishte në pronësi magazinën e mallrave të ndërtimit, qëndronte gjatë natës edhe si roje në të. Dyshohet se autorët hynë për të vjedhur, por në momentin kur i moshuari ka dalë për të parë se nga vinte zhurma, është goditur me mjete të forta dhe me armë zjarri.