E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, ndahen çmime në letërsi, pikturë, muzikë

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në qytetin e Korçës ka nderuar me çmime speciale 8 krijues, si në letërsi, pikturë, muzikë etj. Çmimit mbanin emrat e Onufrit, Dora D’Istria, Tefta Tashko deri dhe te Lasgush Poradeci apo Mitrush Kuteli. 

KORÇË - Nëntori, muaji i letërsisë ka ardhur ndryshe në kryeqendrën e juglindjes. Emrat më të spikatur të letërsisë dhe artit në Korçë janë kurorëzuar me çmime speciale në një eveniment të rëndësishëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Plot tetë krijues si në letërsi, pikturë, muzikë janë nominuar me çmime që mbanin emrat e Onufrit, Dora D’Istria, Tefta Tashko deri dhe te Lasgush Poradeci apo Mitrush Kutelit, ndërsa njerëzit e letrave dhe të artit janë mbledhur së bashku në këtë vjeshtë magjike në një nga fshatrat piktoreskë të Korçës në Boboshticë, aty ku natyra ata i nxit të jenë më ëndërrimtarë dhe krijues.

Aktiviteti është mbështetur nga prefektja e qarkut të Korcës Elfrida Zefi e cila ka pohuar se do të përkrahë çdo aktivitet që nxjerr në pah vlerat e qytetit juglindor. Vjeshta letraro-artistike “Boboshticë 2008” ka qënë tejet e veçantë gjatë kësaj të shtune në fshatin e njohur dhe me tradita, ndërsa çmimet e dhëna nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dega Korçë kanë qenë plot tetë të tillë. Vladimir Torroveci kryetari i kësaj dege ka theksuar domosdoshmërinë e mbështetjes të pushtetit lokal dhe jo vetëm, për shkrimtarët dhe artistët e Korçës, ndërsa ka kërkuar që bashkia e qytetit ti kushtojë një memorial filantropit të shquar të të gjitha kohërave dhe korçarit të njohur të viteve ’30-të Thoma Turtulli.

Me çmimin “Dora D’Istria” për romanin e saj të parë “Rikthim” është nderuar publicistja Irena Vreto, me çmimin “Onufri” piktori pogradecar Kostandini, ndërsa me çmimin “Tefta Tashko” këngëtarja lirike Zhuljeta Sheremeni. Çmimin “Lasguish Poradeci” e ka marrë poeti i këtij qyteti Dhimitër Pojanaku, ndërsa çmimi “Jani Riza” i është akorduar aktorit korçar Ligoraq Riza ndërsa Bardhyl Berberi është nderuar me çmimin “Mitrush Kuteli”.
(a.s/News24/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›