Procesi i burgut, kërkohet pafajësi
BURREL - Ka zgjatur disa orë seanca e parafundit e drejtuesve dhe punonjësve të burgut të Burrelit, seancë që u zhvillua dje në gjykatën e Matit. Avokatët e ish-zyrtarëve të burgut kanë folur gjatë, duke argumentuar secili prej tyre se ata nuk janë fajtorë për arratisjen e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm më 5 prill të vitit 2008. Secili avokat është përpjekur të argumentojë se klienti i tij nuk ka shkelur rregulloren e brendshme të sigurisë në burgje dhe se ka qenë korrekt në zbatimin e detyrave të ngarkuara. Për të 6 ish-drejtuesit e specialistët e burgut është kërkuar pafajësi dhe rikthim në vendet e tyre të punës. Avokatët nuk janë përplasur me njëri-tjetrin, por kanë mbrojtur klientët e tyre duke përmendur detyrat funksionale të secilit. Eduart Brahilika, ish-drejtor i burgut të sigurisë së lartë për një periudhë të shkurtër, ish-shefat e regjimit të brendshëm dhe të jashtëm, Kadri Domi e Luan Hysa, ish-shefi i informacionit Kujtim Laçi, ish-specialisti i trupës Rasim Hoxha dhe ish-shefi i policisë së burgut, Thanas Rumnici, kanë kërkuar ditë më parë gjykim të shkurtuar. Dy javë më parë prokurori i çështjes kërkoi 6.5 vjet burg dhe 2.4 milionë lekë gjobë për gjashtë të akuzuarit. Në fund të këtij muaji gjykata e rrethit të Matit do të japë vendimin përfundimtar. h.p