Pazari i vjetër, 20 ndërtesa në restaurim
KORÇE - Fasadat e 20 ndërtesave te pazari i vjetër në Korçë do të kthehen në identitet. Me një fond prej 5 milionë lekësh ka filluar restaurimi i kësaj pjese të kompleksit të Pazarit të Korçës. Ky investim synon që të kthejë në identitet vlera të trashëgimisë kulturore të këtij pazari. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Korçë bëri të ditur se ky investim do të lerë gjurmë në rikonstruksionin e shumë godinave në Pazarin e Vjetër, monument kulture, i cili është një nga vlerat e trashëgimisë kulturore më të shquara në këtë qark. Qëllimi i këtij investimi, sipas drejtorit Theodhor Theodhori, është dhënia e një shkëlqimi të ri të kësaj pjese të trashëgimisë kulturore dhe kthimin e Pazarit në një zonë të vizituar nga turistë vendas dhe të huaj. Punimet restauruese po kryhen nga firma “Smagina” e njohur për restaurime të tilla delikate. Mendohet se restaurimi do të shtrihet në rreth 20 ndërtesa. Në to do të tregohet kujdes për kryerjen e suvave të fasadave, vendosjen e ullukëve, ndërtimi e vendosja e dritareve dhe dyerve të reja, si dhe punime dhe pastrime të gurëve. Ky rikonstruksion filloi që në vitin e kaluar, kur qeveria dha një fond fillestar prej 1.5 milionë lekë. Me atë fond u restauruan fasadat e dhjetë godinave. Sipas parashikimit, ky restaurim do të vazhdojë 60 ditë dhe do të lerë gjurmë në fasadat e një pjese të konsiderueshme të godinave të Pazarit. Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur se është duke filluar edhe restaurimin e shtëpisë muze të Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, për të cilin sërish qeveria ka vënë në dispozicion një fond prej 4 milionë lekë. j.gj