E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj masë kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve

 

TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, propozon procedim disiplinor kundër kryetares së Shoqatës së Gjyqtarëve të Shqipërisë, Manjola Bejleri. Vetëm pak ditë përpara caktimit të kryetarit të ri të Gjykatës së kryeqytetit, ku një prej kandidatëve është gjyqtarja Bejleri, ajo duhet të presë një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për masë disiplinore ndaj saj. Kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë në KLD kundër gjyqtares Bejleri mbështetet në vonesën e gjykimit të një çështjeje, vonesë kjo sipas ministrisë, e krijuar nga gjyqtarja Bejleri. Lajmi u konfirmua dje për "Panorama"-n nga kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve. Vetë Bejleri e konsideroi të "sforcuar" propozimin për masë disiplinore ndaj saj në këto momente. "Ministri i Drejtësisë ka pasur kohë një vit e gjysmë më parë që lidhur me këtë çështje të vendoste nëse do të propozonte masë disiplinore ndaj meje. Paraqitja e këtij propozimi në këtë moment kandidimi më duket disi e sforcuar", u shpreh dje kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri.
Si drejtuese e një shoqate që ka kritikuar në vazhdimësi hapat e ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në emër të reformës në drejtësi, Bejleri mohoi ekzistencën e një konflikti mes shoqatës dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. "Unë nuk kam dëshiruar asnjëherë që të shikoj qëndrimet që unë kam mbajtur në emër të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve si një konflikt ndaj ministrit të Drejtësisë si person. Këto janë qëndrime juridike. Kanë qenë argumente jo vetëm të miat, por të një komuniteti gjyqtarësh", sqaroi gjyqtarja.
Kërkesa e bërë dje publike për procedim disiplinor ndaj gjyqtares Manjola Bejleri e ka fillesën e saj rreth një vit e gjysmë më parë, si pasojë e një çështjeje të ngritur nga vetë gjyqtarja. Shorti elektronik i Gjykatës së Tiranës ka caktuar Bejlerin për shqyrtimin e një padie në gjyq civil, në një kohë që ajo ishte gjyqtare që merrej me shqyrtimin e çështjeve tregtare. Duke u gjendur përballë një boshllëku në ligj, ku nuk parashikohen rastet kur gjyqtarët kanë pretendime apo ankesa ndaj një procedure shorti, Bejleri tha se i është drejtuar për mendim inspektoratit të KLD-së dhe inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë që ende nuk kishte marrë një përgjigje, ndaj saj filloi një procedim disiplinor. "Nuk kam marrë asnjë përgjigje lidhur me kërkesën time, nëse çështja ishte hedhur ose jo në kundërshtim me procedurat e shortit, por kam marrë si përgjigje kërkesën për procedim disiplinor", tha gjyqtarja Bejleri. Çështjes në fjalë i është dhënë zgjidhje nga vetë palët, të cilat në seancën e parë të çështjes kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares, kërkesë që është pranuar nga Bejleri. Ndërsa një short i ri ia ka ngarkuar çështjen një tjetër gjyqtari. "Kjo çështje është në Ministrinë e Drejtësisë që prej një viti e gjysmë dhe na paraqitet sot (dje), kur unë jam në pritje të një njoftimi tjetër për t'u zhvilluar mbledhje për kandidimin që unë kam bërë për kryetare të gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë". Gjithashtu gjyqtarja theksoi se, "kjo është një çështje që i takon KLD-së tashmë".            ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›