E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho Mulosmani, rigjykim për dy vrasje

 

Armand Bajrami

Jaho Mulosmani, një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, rikthehet në Gjykatën e Tiranës për akuzën e vrasjes. I dënuari për krimin e dyfishtë të vrasjes, si edhe për atentatin e "shekullit" ndaj ish-deputetit Azem Hajdari, do të vihet sërish ballë togave të zeza të gjykatës. Prokuroria dërgoi në gjykatë pak ditë më parë dosjen penale, ku Mulosmani akuzohet për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Personi mbi të cilin rëndojnë dy dënime të përjetshme, fitoi në Gjykatën e Lartë në ditët e para të majit të këtij viti prishjen e njërit prej dënimeve dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë. Dërgimi i çështjes në rigjykim u bë me arsyetimin se Gjykata e Lartë kishte vërejtur shkelje të shumta procedurale në gjykimin e çështjes në Shkallën e Parë. Ndërsa Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë prishi njërin prej vendimeve me burgim të përjetshëm, "fati" i vendimit tjetër është në dorën e Gjykatës së Strasburgut, ku ndodhet aktualisht në shqyrtim dosja "Hajdari".
Rikthimi i dosjes
Rigjykimi i Mulosmanit
Burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës pohuan mbërritjen e dosjes penale me të pandehur Jaho Mulosmanin. Dosja me nr. 1179 u regjistrua në sekretarinë e gjykatës të martën e kësaj jave. Sipas organit të akuzës, në dosjen në fjalë në adresë të Jaho Mulosmani rëndon akuza e "vrasjes me paramendim" ndaj dy personave. Shorti elektronik i hedhur dje caktoi gjyqtarin Petrit Çomo, si kryesues të trupës së gjyqtarëve që do të rigjykojnë Mulosmanin në lidhje me akuzat në ngarkim të tij për vrasjen e Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit. Burimet thanë se në ditët në vazhdim do të përcaktohet data e seancës së parë gjyqësore në ngarkim të Mulosmanit. Para togave të zeza mësohet se gjatë rigjykimit të çështjes do të përsëritet shqyrtimi gjyqësor me praninë e të pandehurit, dëshmitarëve dhe personave me dijeni për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Tropojës dhjetë vjet më parë. 
Vrasja në Tropojë
Ngjarja për të cilën do të rigjykohet në Shkallën e Parë Mulosmani i përket vitit 1999. Mesditën e 4 gushtit 1999, nga një atentat me mina të telekomanduara vriten në fshatin Cërrnicë të Tropojës, Halil Haklaj dhe Feriz Kërnaja. Nga atentati plagosen edhe Fatmir Haklaj dhe Fatmir Daka. Ngjarja pasohet nga një tjetër gjakderdhje vetëm pak orë më pas në qendër të qytetit të Tropojës. Breshëria e plumbave lë të vdekur në vend Bislim Hykën dhe Isuf Bashkurtin. Pistat e para hetimore u ngushtuan rreth një emri të vetëm si autor i kësaj ngjarjeje, Jaho Mulosmani. Në atë kohë ai mbante detyrën e shefit të rendit në Komisariatin e policisë së Tropojës. Njëri nga viktimat e ngjarjes, Bislim Hyka, ishte vëllai i shefit të Komisariatit të policisë së Kukësit. Sipas hetimeve, Jaho Mulosmani kishte qëlluar mbi viktimat në shenjë hakmarrjeje, pasi bënte përgjegjës të afërmit e Hykës, për vrasjen e Halil Haklajt dhe Feriz Kërrnajës. Ndërkohë që në vitin 2001, Mulosmani u arrestua me dyshimet për pjesëmarrje në atentatin ndaj ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Për këtë akuzë, Jaho Mulosmani mori dënim me burg përjetë në fund të shqyrtimit gjyqësor.

Gjykata e Lartë

Në fillim të muajit mars 2009, Gjykata e Lartë shpalli vendimin e saj duke rikthyer për gjykim në Gjykatën e Tiranës, dosjen penale në ngarkim të Jaho Mulosmanit (Salihi). Argumenti i Gjykatës së Lartë ishte se në gjykimin e parë për vrasjen e Hykës dhe Bashkurtit, togat e zeza nuk kishin marrë masa për lajmërimin e avokatëve të të pandehurit. Zhvillimi i seancës gjyqësore pa praninë e mbrojtësit ligjor të personazhit të shumëpërfolur, është konsideruar nga Gjykata e Lartë si shkelje procedurale. Pas rrëzimit të burgimit të përjetshëm, Gjykata e Lartë ka porositur që rishqyrtimi i dosjes të bëhet sipas procedurave të rregullta ligjore nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet.

Mulosmani vuan dënimin për "Hajdarin"
Jaho Mulosmani është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. I dënuari me masën kapitale të ndëshkimit ndodhet në burg të sigurisë së lartë, ndërsa pritet të shoqërohet nga policia në gjyqin që do të rifillojë kundër tij në Tiranë për vrasjen e dy personave. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›