Korçë, përfundon rikonstruksioni i spitalit të sëmundjeve polmunare
Me një fond prej 41.4 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, ka përfunduar rikonstruksioni i ish spitalit infektiv të qyteti të Korçës, i cili tashmë do të jetë në funksion të një shërbimi tjetër mjekësor. Sipas drejtorit të spitalit rajonal të Korçës, Gjergji Denasi në godinën e rikonstruktuar plotësisht, do të funksionojë reparti i trajtimit të sëmundjeve polmunare me shërbime dhe konsulencë mjekësore të përparuar.
Nga rikonstruksioni i kësaj pjese të spitalit rajonal të Korçës, përfitohen 31 dhoma për trajtimin e të sëmurëve, të cilët do të qëndrojnë nga dy persona në dhomë", tha z. Denasi duke shtuar se shumë shpejt pritet një investim prej 8.7 milion lekësh nga buxheti i shtetit për pajisjen e godinës me shtretër dhe sistem ngrohjeje. Spitali rajonal i Korçës trajton të sëmurë nga rrethe të ndryshme si Devolli, Kolonja etj. Investimet e deritanishme të buxheti të shtetit, që kapin shifrën prej 700 milion lekë, e kanë shndërruar këtë spital në një institucion shëndetësor bashkëkohor dhe funksional.