E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, konflikti për pronat, policia dhe Garda rrethojnë vilat qeveritare nga banorët

Rrethim i plotë i të gjithë hapësirës tek vilat qeveritare në qytetin e Vlorës ku prej ditësh vazhdon konflikti midis banorëve që disponojnë dokumentacionin e plotë si pronarë të këtij trualli dhe ushtarëve të gardës dhe uniformave blu që mbrojnë punëtorët që rrethojnë këtë truall me mur. Rrethimi i djeshëm ka qenë me rreze të madhe dhe afër vendngjarjes nuk janë lejuar të afrohen as gazetarët. Qysh tek rrapi në Ujin e Ftohtë ishte vendosur një polic rrugor që nuk lejonte të kalonin në rrugën buzë detit asnjë makinë. Ndërkohë që tek banesat ku pretendojnë banorët se kanë tokat e tyre, janë gjendur me dhjetëra ushtarë të gardës dhe uniforma blu që nuk lejonin të afrohej aty asnjë njeri, madje as gazetarët.Madje këta të fundit gati janë konfliktuar me gardistët që nuk lejonin tu afroheshin banorëve që ishin grumbulluar dhe kërkonin të mos lejonin punëtorët dhe fadromën për të hapur themelet e murit që do të rrethojë vilat. Konflikti te vilat qeveritare ende vijon të mbetet një vatër e nxehtë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Rruga është bllokuar për më tepër se 40 minuta në aksin nacional. Gjithçka nisi kur punëtorë të firmës zbatuese për rikonstruksionin e vilave kanë filluar procesin për betonimin e skarës metalike. Pronarët kanë zmbrapsur punëtorët dhe nuk kanë lejuar që ata të vijonin punën për ndërtimin e murit. Në zonë kanë mbërritur forca të gardës dhe ato të policisë. Gati në mënyrë spontane banorët kanë zaptuar më pas rrugën, e fill pas kësaj nuk është bërë i mundur qarkullimi i automjeteve në zonë, duke krijuar radhë të gjata automjetesh dhe bllokuar lëvizjen drejt zonës së Radhimës dhe Orikumit. Në zonën, dy anët e së cilës ruhen me ushtarë të gardës, kanë ardhur më pas edhe përforcime nga ana e bluve, ndërsa një betoniere ka vijuar punën. Për realizimin e punimeve, ushtarëve të gardës u është dashur të vendosen në një gardh trupor, pasi pronarët kanë tentuar të bllokojnë punimet. Familjarët, të cilët kanë qenë rreth 30 vetë, kanë derdhur një sërë akuzash ndaj drejtoreshës së rezidencave qeveritare në Vlorë, Bahrije Isufi, e cila sipas tyre po favorizon grabitjen e pronave. "Jemi me të gjitha dokumentacionet e mundshme dhe të duhura. Kemi të drejtën që na ka dhënë gjyqësori të gëzojmë pronat tona, por nuk e dimë se kur do t'i marrim ato. Ka ngelur tani që policët të marrin lopatat dhe ta ndërtojnë ata murin me forcën e armëve dhe të vijë vetë Berisha e ta përurojë", tha një nga pronarët e familjes Kadëna. Gjatë hedhjes së betonit, dy herë është tentuar përleshja, por forcat e rendit kanë evituar tensionin. Pronarët janë shprehur të vendosur se do të protestojnë deri në vdekje, pasi janë në shtëpitë e tyre dhe po dhunohen në tokat e tyre. Konflikti te rezidencat qeveritare në Vlorë ka nisur prej gati një viti. Rrethimi i zonës ku janë vendosur rezidencat qeveritare ka rënë ndesh me kufijtë e pronave të katër familjeve. Ata thonë se prej më tepër se 80 vjetësh kanë qenë të vendosur në këtë zonë, ndërsa tashmë që u janë njohur tërësisht dhe në të gjitha institucionet këto prona, vetë shteti po synon grabitjen. Vetëm me forcën e ushtarëve të gardës dhe nën mbikqyrjen e çdo çasti nga uniformat blu të drejtorisë së policisë së qarkut është bërë e mundur të fillojë ndërtimi i murit rrethues, ndërkohë që banorët kanë qenë të grumbulluar aty pranë duke protestuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›