Prag sezoni turistik, 200 turistë të huaj vizitojnë Sarandën
Kur ka mbetur dhe një javë nga çelja zyrtare e sezonin turistik, rreth 200 turistë ditorë, nga vende të ndryshme perëndimore, kanë zbritur dje në portin e Sarandës për të vizituar për disa orë qendrat historike dhe kulturore të kësaj zone. Tafil Kola, drejtues i terminalit në portin e qytetit të Sarandës, tha se prej ditës së djeshme tre shoqëritë turistike që ushtrojnë aktivitetin e tyre në jug të vendit, kanë nisur të zbatojnë kontratat të lidhura një vit më parë me homologët e tyre në vendet perëndimore.
Sipas tij, gjatë viteve të fundit shoqëritë turistike shqiptare kanë ndryshuar modelin e punës dhe falë kontratave të rregullta sivjet është parashikuar të shkelin bregdetin e jugut mbi 50 mijë turistët të huaj. "Infrastruktura moderne e terminalit të Sarandës është në gjendje të përballojë çdo fluks të turistëve të huaj dhe vendas, duke mos përjashtuar dhe procedurat doganore për emigrantët shqiptarë", tha ai. Ndërsa sezoni turistik veror do të çelet në 2 maj, burime zyrtare nga Bashkia e Sarandës thanë se pushteti vendor i ka marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e pushuesve vendas dhe të huaj. Vitin e kaluar brigjet e Jonit u vizituan nga mbi 33 mijë turistë të huaj. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe ishin turistë perëndimore, por nuk munguan dhe nga vendet lindore dhe Lindja e Largët. Qyteti i Sarandës, rreth 250 kilometra larg kryeqytetit, shtrihet përgjatë gjirit të detit Jon që kufizohet midis Kepit të Dentes, aty ku derdhet Lumi i Bistricës në det dhe në veriperëndim me Kepin e Paledhese me një gjatësi prej rreth 7.5 kilometra dhe gjerësi maksimale 1 kilometër..