E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjiknuri, denoncon tek vëzhguesit e ODHIR, skandalin e kartave të identitetit, në konunën Porocan

Kandidati i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit Damian Gjiknuri, ka akuzuar kreun e komunës Porocan, të këtij rrethi, Nefail Kllogjerin për tërheqjen e kartave të identitetit për të gjithë militantët e PD. Sipas Gjiknurit akti që ka bërë kryekomunari i Porocanit, Kllogjeri është një akt i turpshëm dhe i pamoralshëm për këto zgjedhje, ku Kllogjeri i ka tërhequr personalisht të gjitha kartat e identitetit të të gjithë simpatizantëve të Partisë Demokratike, dhe më pas jua ka shpërndarë atyre. Gjiknuri theksoi se kryekomunari i Porocanit ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe e ka thyer atë, ku sipas ligjit të drejtën për tërheqjen e kartës së identitetit e ka vetëm personi dhe askush tjetër, sepse në momentin e tërheqjes së kartës së identitetit duhet të jepen sërish shenjat e gishtave. Kandidati i Partisë Socialiste ka denoncuar ato që ai i cilëson probleme me kartat e identitetit në komunën Porocan të këtij rrethi. Gjiknuri ka paralajmëruar se do të bëjë kallëzim penal për kryekomunarin Kllogjeri por dhe zyrtarin që ka dhënë kartat. Këtë rast kandidati i Partisë Socialiste e ka denoncuar edhe tek vëzhguesit e ODIHR në Elbasan. Sipas tij ky është një manipulim që po bëhet nga Partia Demokratike dhe simpatizantët e saj të cilët janë në krye të komunave. Duke kujtuar dhe situatat e mëparshme ku vetë krerët e komunave i shpërndanin kuponët për të bërë aplikimin për pajisjen me letërnjoftime për banorët falas, me qëllimin për të marrë votën në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit. Gjiknuri deklaroi se duhen marrë masa të menjëhershme ndaj të gjithë drejtuesve të komunave të cilët kanë thyer ligjin vetëm për të përfituar vota, që në këtë rast votat i përfiton Partia demokratike. Gjithashtu ai theksoi se gjatë këtyre katër viteve në Shqipëri nuk ka patur një politikë të pastër por ka qenë një politikë ku kanë përfituar vetëm drejtuesit e PD dhe familjarët e tyre, dhe se me ardhjen e socialistëve në krye të qeverisë në 29 qershor e gjithë gjendja ekonomike dhe politike për shqiptarët do të stabilizohet. Ndër të tjera Gjiknuri ju bëri edhe një herë thirrje banorëve të komunës Porocan që të mos gënjehen nga mashtrimet dhe nga paratë që mund të ofrojnë demokratët, por në 28 qershor të votojnë Partinë Socialiste, e cila do të sjellë ndryshimin e shumë pritur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në përfundim të fjalës së tij Gjiknuri theksoi se këtë herë nuk do të ketë më gabime, dhe se Partia Demokratike ka për ta dorëzuar pushtetin, atë të cilin e fitoi gabimisht në zgjedhjet e 2005.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›