PDK, reagon ndaj publikimit nga media për kandidatë e papërshtatshëm
Partia Demokristiane dhe Poli i Lirisë, kanë reaguar ndaj publikimit nga mediat të kandidatëve të ashtuquajtur të papërshtatshëm, ku janë përmendur edhe emrat e tre kandidatëve të PDK. Sipas zyrës së shtypit të PDK, publikimi i emrave të kandidatëve të kësaj partie është një spekulim i pastër politik, i cili është bërë nga grupime civile por që kanë lidhje interesash me dy forcat e mëdha politike.
Ne jemi të habitur sesi mund të konsiderohen të pastër Deputetë e Ministra që nuk kanë imunitet dhe që janë në bankën e të akuzuarve për korrupsion dhe abuzim me detyrën, ndërkohë që në vend të tyre përfshihen deputetë të nderuar që janë votuar me shumë se një herë nga elektorati dhe asnjëherë nuk kanë patur problem me elektoratin dhe as drejtësinë, shprehet zyra e shtypit e PDK. Sipas PDK, është për tu habitur që jashtë kësaj liste kanë ngelur politikanë të cilët janë të përfshirë në tragjedinë e Gërdecit, dhe në këtë listë të papërshatshmish janë përfshirë njerëz të nderuar. Sipas zyrës së shtypit të PDK, deputeti Demokristian Jak Ndokaj, ka qenë dy herë deputet i zgjedhur me votat e tij personale në një zonë elektorale të Tiranës, dhe se ky kandidat nuk ka patur asnjëherë probleme me drejtësinë, ndërsa kandidati tjetër Frrok Gjini ka patur një akuzë politike për kryengritje te armatosur me 14 shtator 1998, për të cilën është arrestuar, por nga të gjitha nivelet e gjykatave, ai është shpallur i pafajshëm. Së fundi, shprehim keqardhjen se për spekulime të tilla një javë përpara zgjedhjeve, janë përdorur imazhi dhe emri i ish Presidentit të Republikës, me të cilin Partia Demokristiane ka patur dhe ka marrëdhënie korrekte bashkëpunimi e respekti reciprok, shprehet zyra e PDK.