Korçë, qyteti gati për Festën e Birrës
KORçE - Festa madhështore e Birës që mbyll sezonin turistik të verës në qytetin e Korçës është në përgatitjet e saj të fundit. Qëllimi i saj është të ofrojë sa më shumë kënaqësi për mijëra e mijëra vizitorë vendës e të huaj që pritet të marrin pjesë në të këtë vit. Bashkia e Korçës që e konsideron këtë festë si kulmin e të gjitha aktiviteteve të sezonit të verës dhe tërheqjes më të madhe të vizitorëve dhe pushuesve, në këtë edicion të katërt të festës së birrës ka marrë masat që ajo të organizohet dhe zhvillohet përgjatë 4 netëve edhe më e larmishme dhe sa më shumë argëtuese për pjesëmarrësit. Nga ana e Bashkisë së Korcës, nëpërmjet një konference për shtyp u bë e ditur se po u jepet dora e fundit përgatitjeve për një organizim sa më të mirë të Festës së Birrës. "Pak ditë na ndajnë nga festa më e madhe verore në Shqipëri që organizohet për të katërtin vit rresht në qytetin e Korçës, e cila quhet Festa e Birrës dhe ku pa dyshim protagonistja kryesore është "Birra Korça", tha Sofjola Kotelli nga Bashkia e Korçës. Sipas saj, në katër netët që do të zhvillohet Festa e Birrës, në datat 13-16 gusht në ambientet e parkut "Rinia" të Korçës, janë parashikuar sa më shumë argëtime dhe koncerte të larmishme për vizitorët, të cilët do të shijojnë në këtë festë edhe “Birrën Korça”. Kotelli tha se vjet janë shënuar si pjesëmarës në këtë festë afërsisht nga 10 mijë vizitorë vendës e të huaj çdo natë, ndërsa në natën finale më shumë se 15 mijë vetë. Ajo theksoi se këtë vit pritet një numër edhe më i madh i vizitorëve vendës e të huaj në Festën e Birrës, që organizohet me rastin e mbylljes së sezonit turistik të verës në Korçë. Kotelli shtoi se kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre grupe turistësh nga Greqia dhe Rumania, etj., ndërsa si çdo vit nuk do të mungojnë edhe turistë nga vende të ndryshme apo qytete të Shqipërisë. Bashkia e Korçës parashikon të ngrihen më shumë se 20 stenda për shitjen e birrës dhe produkteve që shoqërojnë pirjen e saj, ndërsa këtë vit do të jetë si risi edhe një dekor i veçantë për koncertet që do të shfaqen gjatë netëve të Festës së Birrës. g.a