Viori Sinani i dëmtuar, por mbahet sekret
Dëmtimi që prej pesë ditësh i sulmuesit shkodran Vioresin Sinanit është mbajtur sekret nga stafi teknik, për arsye që ende nuk dihen. Sinani gjatë testeve fizike të kryera të martën ka pësuar një tërheqje muskulore jo të vogël, e kjo ka bërë që ai të mos aktivizohet në ndeshjen e fundit miqësore kundër skuadrës serbe të Sevojno Uzhive. Në fakt, stafi teknik i kuqebluve me në krye trajnerin Mojash Radonjiç, pas përfundimit të kësaj miqësoreje mësohet të ketë thënë se janë aktivizuar të gjithë futbollistët, por në fakt nuk ka rezultuar kështu. Kjo sepse Sinani vazhdon të jetë i dëmtuar, madje që nga dita e martë ai stërvitet veçmas grupit, pra në mënyrë individuale.