Një 29-vjeçar i prekur me antraks në spital
SARANDE - Një i sëmurë me antraks në spitalin e Sarandës. Prej disa ditësh, në repartin infektiv të spitalit "Petro Nako" të Sarandës, një 29-vjeçar po kurohet nga sëmundja e plasjes, ose e thënë ndryshe nga antraksi. I riu nga Kolonja, Shpëtim Liço, çoban prej disa vitesh në fshatin Kalasë, komuna Vergo, rreth 20 km larg qytetit të Delvinës, është bartësi i parë i identifikuar me sëmundjen e plasjes. Ai ka ardhur në spital me shenjat e kësaj sëmundjeje në dorën e tij. Sipas mjekut infeksionist Aleks Prifti, burim i kësaj sëmundjeje janë bagëtitë e imta. " I sëmuri, - tha mjeku infeksionist - është tani i vetmi rast me antraks. Ka rrjepur një bagëti të ngordhur dhe për rrjedhojë i është shfaqur plasja. Kanë marrë të gjitha masat për kurimin e tij. Kam mësuar se delja apo dhia e prekur nga kjo sëmundje është djegur". Sipas mjekut Prifti, ilaç për kurimin e sëmundjes ka mjaftueshëm në spitalin e Sarandës. Në laboratorin veterinar të Sarandës na thanë se për rastin e 29-vjeçarit janë në pritje të kampioneve nga analizat e të cilave do të përcaktohet në rrugë laboratorike sëmundja e rrezikshme, që përcillet nga kafshët tek njerëzit. sh.d