E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gallatasarai i Canës,“shëtitje” në Ukrainë

Janë pesë futbollistët shqiptarë që luajnë ende në Ligën e Evropës: Lorik Cana (Gallatasarai), Hamdi Salihi, Atdhe Nuhiu (Rapidi i Vjenës), Admir Teli dhe Ansi Agolli (Karabak).

Nga shorti i hedhur dje vetëm Gallatasarai i Lorik Canës e ka teorikisht më të lehtë kalimin e turit. Turqit, pas eliminimit të bujshëm të skuadrës serbe, OFK Beograd, do të përballet me ukrainasit e Karpati Lviv, një ekip ky tepër modest në krahasim me gjigandët e futbollit turk. Ndërsa austriakët e Rapidit të Vjenës, në të cilin aktivizohen të dy sulmuesit shqiptarë, Hamdi Salihi dhe Atdhe Nuhiu, do të përballen me anglezët e Aston Vilës, dy kundërshtarët që e sfiduan njëri-tjetrin edhe sezonin e kaluar, po në këtë fazë. Azerbajxhanasit e Karabak, me dy shqiptarë në formacionin titullar: mbrojtësin Admir Teli dhe mesfushorin Ansi Agolli, do të sfidojnë gjermanët e Borusias së Dortmundit, fituese e Ligës së Kampioneve në vitin 1997. Në teori, duke analizuar përbërjen e këtyre dy ekipeve, rrugëtimi i azerbajxhanasve të Karabak duhet të përfundojë në këtë përballje pasi Borusia konsiderohet si superfavorite në këtë çift. Ndërsa përsa u përket skuadrave “antishqiptare”, ato që eliminuan Tiranën e Laçin në turin e parë dhe të dytë, Utrehti dhe Dnjepër Mogliev, shorti i ka vënë përballë dy ekipe mjaft të forta, të paktën nga emri. Holandezët do të luajnë ndaj Sëlltikut të Gllazgout ndërsa bjellorusët do të kenë përballë spanjollët e Vilareal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›