Korçë, reshjet e shiut përmbytin 20 ha tokë
11/11/2009 KORÇE- Reshjet e shiut, të cilat veçanërisht gjatë katër ditëve të fundit nuk kanë pasur të pushuar, përfshi këtu edhe ditën e martë, kanë sjellë përmbytjen e 20 hektarëve tokë në fushën e Korçës dhe konkretisht në fshatin Sheqeras të komunës Vreshtas. Ndërkaq po kaq e rrezikuar ka qenë edhe fusha e Devollit, por falë ndërhyrjes së shpejtë nga ana e Bordit të Kullimit, përmbytja mundi të përshkojë vetëm një sipërfaqe toke prej 3 hektarësh, ku pas kësaj gjithçka është normalizuar. Ndërkohë reshjet e shiut vazhdojnë të bien me të njëjtin intensitet, duke rritur në mënyrë të jashtëzakonshme prurjen e lumenjve. Aktualisht lumi i Devollit ka regjistruar një prurje prej 30 metra kub në sekondë, kur ditë më pare, (para fillimit të reshjeve), prurjet e tij shkonin në vetëm 5 metra kub në sekondë. Ujërat e tij të shumta kanë sjellë probleme në kanalet e dyta, të cilat kanë pësuar çarje, por dhe në diga. Me të njëjtat probleme është përballur edhe rrethi i Kolonjës.