Korçë, rrihet sekretari i PS, prangoset agresori
>Një nga drejtuesit më të lartë të degës lokale të PS-së në juglindje është keqtrajtuar nga një 38- vjeçar, pas një mbledhjeje të një organizate socialiste në fshatin Voskopojë të rrethit të Korçës. Policia, vetëm pak minuta pas ngjarjes ka shpallur në kërkim autorin, i cili është prangosur pas disa orësh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes mërkurë, në fshatin Voskopjë, në rrethin e Korçës.
Sekretari i PS-së për Korçën, Muharrem Meko ka shkuar si i deleguar i kryesisë së kësaj partie për të marrë pjesë në një mbledhje të një organizate socialiste. Fill pas përfundimit të mbledhjes, shtetasi Arjan Zaçellari ka sulmuar Mekon duke e dhunuar, madje dhe duke e përgjakur në fytyrë. Ndonëse kanë ndërhyrë persona të shumtë që e shoqëronin, nuk është bërë e mundur shmangia e dhunës. Më pas Zaçellari, banor i fshatit Gjonomadh është larguar duke u fshehur në afërsi të Voskopojës, ku ka ndodhur ngjarja. Nga rrëfimi i vetë Mekos mësohet se sulmi i agresorit ka qenë i lehtë, ndërsa gjithçka sipas tij lidhet me detyrën që ai kryen. Nuk kemi pasur ndonjë konflikt me personin në fjalë ndonëse e njihja më parë, por reagimi i tij i dhunshëm ka qenë krejt i papritur, është shprehur Meko. Pas ngjarjes është kryer denoncimi në polici, teksa Meko ka marrë mjekime në spital. Policia e Korçës, e cila ka nisur hetime të menjëhershme për ngjarjen, ka mundur të prangosë Arjan Zaçellarin vetëm pak para mesnatës së mërkurë, në një vend ku qëndronte i fshehur. Ai është përpjekur tu largohet disa herë bluve derisa ka përfunduar në pranga. Ndaj Zaçellarit rëndon akuza e goditjes për shkak të detyrës. Ndërkaq dega e PS-së në Korçë, ka reaguar ditën e djeshme për dhunën ndaj drejtuesi të lartë të saj, duke dalë me një deklaratë për shtyp. Vetë Meko në një prononcim për gazetën ka pohuar se ngjarja është e paprecedent në prag të startit të para fushatës elektorale, ndërsa ka theksuar gjithashtu se Arjan Zaçellari e ka goditur dhe fyer për faktin se ai ishte socialist. Gjithçka mbetet të zbardhet nga policia dhe grupi i hetimit, ndërsa duke iu referuar burimeve të policisë mësohet se i ndaluri vetëm pak kohë më parë ka pasur probleme, pasi i është djegur mjeti i tij, ndërsa njihet si një person problematik në zonë. Pas arrestimit, Zaçellari fillimisht ka mohuar të ketë goditur dhe përgjakur sekretarin lokal të PS-së në Korçë, ndërsa më pas ka pranuar të ketë ushtruar dhunë ndaj tij, për arsye që nuk i ka shpjeguar ende.