E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtari Teodor Laço, pranë lexuesve me dy libra të rinj

>Shkrimtari Teodor Laço vjen pran lexuesve me dy romane, "Vrasja e buzëqeshjes" si dhe "Një dritare në Kremlin - Nga Hrushovi te Putini" (histori e letrarizuar). Në romanin "Vrasja e buzëqeshjes" shkrimtari Teodor Laço i kthehet trajtimit artistik të një prej problemeve sociale më të rënda të realitetit të brishtë të Shqipërisë së viteve të demokracisë, atij të gjakmarrjes. Në qendër të ngjarjeve të romanit është një adoleshent dhe jeta e tij mes katër mureve për shkak të ngujimit. Një vrasje që ka kryer i ati rrezikon seriozisht jetën dhe të ardhmen e djaloshit. Jeta e tij - një realitet më shumë se i dhimbshëm dhe pak i kuptueshëm nga ata që nuk e njohin ligjin e gjakmarrjes - një ligj që me primitivitetin e vet vë në pikëpyetje serioze edhe zbatimin e ligjit. Sa i dukshëm, sa i rëndë, sa absurd është fenomeni i gjakmarrjes në malësitë e Shqipërisë dhe në jetën
e banorëve të vet, cili do të jetë fati i adoleshentit të ngujuar, kush dhe si do paguhet haraçi i gjakut këtë do ta zbuloni duke lexuar romanin "Vrasja e buzëqeshjes". Libri "Një dritare në Kremlin" është një shartim i historisë me fiksionin, një kuturisje karakteristike prej shkrimtari që, shpresoj të më vijë në ndihmë për të hapur një dritare në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere. Historia, arkivat, shtypi, librat e botuara, mëtojnë se kanë zbuluar shumëçka nga ngjarjet që kanë ndodhur brenda mureve të tij në 50 vitet e fundshekullit të kaluar, ku do të shtrihet vështrimi im, por gjithkush e di se kjo është e pamundur. Gjithçka ngjan se është ngritur mbi të fshehtat dhe zbulimin e tyre. Në një roman historik të shkrimtarit të njohur Boris Akunjin, ngjarjet e të cilit ndodhin në shekullin e 17-të, njëri nga personazhet, ndodhet në bodrumet e Kremlinit. Nëpërmjet tubave të ajrimit, ai dëgjon një bisedë nga kabineti i carit që i jep dikujt një urdhër: "Nëse ai vojvodë do të vazhdojë të marrë ryshfete, vërini hekurat dhe silleni këtu". 350 vjet më parë, cari kishte krijuar kontrollin financiar shtetëror! Puna që po bëj, është si të mbjellësh një dru në një pyll të madh. Historia, trungu i drurit, është pjesa e saj më vitale. Ngjarjet e zgjedhura, dokumentet arkivore, publicistika, librat me analiza apo kujtime, deri te fotot apo imazhet filmike që janë adrenalina e fantazisë, janë aq të vërteta aq sa i kam gjetur. Fiksoni është më i sigurt. Ai është veshur me teshat e mia. Kjo është një nga përparësitë e shkrimtarit: këndshikime, rakurse, portretizime, interpretime, komente, hamendje, të vetat, të lira. Kryetari, e pranoj se ky shartim ka qenë i vështirë. Jo aq nga moria e ngjarjeve historike sesa nga stepja e natyrshme nëse druri do të gjethojë
e do të lidhë fruta. Sidoqoftë, guximi i pacipë i shkrimtarit që i bën ata të duken disi të çuditshëm në sytë e karvanit popullor (për të pasur kujdes nga fjala "turmë"), del gjithmonë fitimtar mbi stepjen e drojën. Atëherë të vjen të thuash me zë plot: "Unë e bëra sakrilegjin. Gjykomëni!".të dy këto botime mbajnë firmën e shtëpisë botuese Toena, ndërkohë që sot pritet të bëhet dhe promovimi i tyre. Teodor Laço ka lindur në Dardhë të Korçës më 29 shtator 1936. Ka filluar të botojë që prej viteve 1960. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja, si në anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht, rumanisht,  turqisht, bullgarisht, greqisht. Krijimtaria e tij e pasur letrare në të gjitha zhanret e sipërpërmendura ka marrë vlerësime të rëndësishme nga kritika e specializuar si brenda ashtu edhe jashtë kufijve shtetërorë. Libri publicistik "Një dritare në Kremlin" vjen pas atij "Kohë për të kujtuar, kohë për të harruar" dhe "Bardhë e zi". Pas viteve '90-të është angazhuar edhe në jetën politike të vendit; për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, Ministër i Kulturës në vitet '94-'97 dhe ambasador 2006-2008 në Federatën Ruse.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›