E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rruga, Dukagjini në prag të izolimit

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Jeta e banorëve të Dukagjinit është në rrezik sa herë që ata udhëtojnë në rrugët që i lidhin me Shkodrën. Dimri po afron, ndërsa banorëve nuk u mbetet tjetër veç të luten që të mos ndodhë ndonjë tragjedi. Premtimet e bëra prej vitesh, viktimat që shtohen nga aksidentet, si dhe protestat e banorëve nuk kanë çuar në zgjidhjen e situatës. Ka më shumë se 20 vite që në rrugën nacionale mes malesh dhe humnerash nuk investohet, ndërkohë që numri i automjeteve në lëvizje në këto akse është shtuar. Sipas të dhënave zyrtare, tepër problematike janë 310 kilometra rrugë që lidhin zonat e Dukagjinit me Shkodrën. “Në këto zona, nuk ka asnjë metër rrugë të asfaltuar. Nuk gjen asnjë sinjalistikë rrugore. Këtu është sikur të mos jetojë asnjë njeri”, shprehet Marku, njëri nga banorët e zonës. Sipas tij, ky diskriminim prej vitesh ka bërë që banorët e këtyre zonave të largohen. “Është kjo arsyeja që njerëzit janë larguar nga Dukagjini. Njeriu kërkon të mbijetojë”, thotë 50-vjeçari. Ndonëse humnerat janë me dhjetëra metra poshtë, në anësoret e rrugëve mungojnë muret mbajtëse. Statistikat tregojnë se kanë ndodhur mbi 202 aksidente vitet e fundit në këtë aks. Aksidenti më i rëndë ndodhi dy vite më parë, kur një furgon ra në humnerë dhe vdiqën 10 persona. Sipas grupit të ekspertëve, nëse në vendin ku ndodhi ky aksident tragjik do të kishte pasur mure mbrojtëse, atëherë viktimat sot do të ishin gjallë. Grupe ekspertësh kanë dalë në përfundimin se në segmentin e Dukagjinit janë 215 pika të rrezikshme për udhëtarët. Pikërisht këto pika të rrezikshme kanë qenë dhe vendet ku kanë ndodhur ndër vite aksidentet me vdekje. Rruga plotësisht e amortizuar bën që drejtuesit e mjeteve të udhëtojnë me 30 km në orë. Tani që dhe pak po vjen dimri, banorët kanë nisur të shqetësohen për jetën e tyre dhe të fëmijëve. Në këtë zonë të thellë nuk ka as mjekë. Banorët janë të detyruar të udhëtojnë drejt Shkodrës në raste urgjencash, ndërsa jo rrallë herë bora izolon gjithë zonën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›