Ushqimi në zonat turistike, jashtë kontrollit të cilësisë
Restorantet, lokalet dhe njësitë tregtare që ndodhen në zonën turistike të Fierit tregtojnë mallra të pakontrolluar nga ana e autoriteteve të bujqësisë në rreth. Lajmi bëhet i ditur prej burimeve zyrtare të Drejtorisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Këto burime pohojnë se gjatë kësaj vere asnjë lokal apo dyqan që ndodhet përgjatë vijës bregdetare të Qarkut të Fierit, nuk është kontrolluar për nga cilësia e ushqimit apo për nga afati i skadencës së ushqimeve me ambalazh. "Jo vetëm zonat bregdetare, por edhe ato pika turistike larg bregdetit nuk janë kontrolluar. Gjithashtu edhe dyqanet në këto pika turistike kanë mbetur jashtë kontrollit. Ndërkohë që problem shqetësues për autoritetet e bujqësisë në Fier është numri i lartë i pikave ambulante që tregtojnë mallra konsumi. Gjithashtu edhe shitësit ambulantë nëpër plazhe kanë sjellë shpeshherë probleme", pohojnë burimet nga Drejtoria e Bujqësisë Fier. Numri i bizneseve që merren me mallra të konsumit në pikat dhe zonat turistike është shumë i lartë. Cilësia e ushqimit që ato servirin i është lënë ndërgjegjes së administratorëve të tyre. Fatmirësisht nuk ka pasur intoksikime masive mes pushuesve, por nuk kanë munguar rastet e helmimeve. Gjatë periudhës qershor-gusht janë shënuar 4 raste intoksikimesh dasmorësh, të cilët kanë konsumuar ushqime në lokalet që ndodhen në periferi të qytetit të Fierit.