Bulqizë, përmbyset furgoni me 16 dasmorë
Përmbyset fugoni, plagosen 16 persona nga i njëjti fis, katër prej të cilëve janë dërguar për në Tiranë, pasi gjendja e tyre shëndetësore ka qenë mjaft e rëndë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të së martës, në fshatin Fushë-Bulqizë, në vendin e quajtur "Kodra e Danit". 16 pjesëtarët e fisit Përkola, përfshirë edhe gra e fëmijë, po udhëtonin në një furgon për të shkuar në një ceremoni martesore që organizonte një i afërmi i tyre. Gjatë udhëtimit, mjeti tip "Benz" ka dalë nga rruga dhe është përmbysur poshtë në humnerën e rrugës, ku për pasojë janë plagosur të gjithë pasagjerët pjesëtarë të fisit Përkola. Vetëm drejtuesi i furgonit, Sh.Hoxha, ka mundur të dalë jashtë mjetit i padëmtuar, duke parë me sytë e tij se si rrokullisjen në humnerë mjeti me 16 pasagjerët brenda tij. Shoferi ka sinjalizuar menjëherë policinë dhe menjëherë drejt vendit të sinjalizuar është nisur një grup i gatshëm. Të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin e Bulqizës, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Mjeku kirurg i këtij spitali, Tahir Alku, i cili u ka dhënë ndihmën e parë të gjithë të lënduarve, ka pohuar se pjesa më e madhe e tyre tashmë janë jashtë rrezikut për jetë. Ai thotë se me një angazhim maksimal të bluzave të bardha u bë e mundur që t‘u jepej ndihma e parë të gjithë të plagosurve, por numri i madh i tyre dhe "mësymja" në spital e të afërmve të të aksidentuarve, ka vështirësuar mjaft punën. Sipas mjekut, dëmtime më të mëdha dhe serioze kanë paraqitur 4 persona: një grua dhe tre fëmijë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar. Mësohet se drejt Spitalit Ushtarak të kryeqytetit janë nisur: Ersida Përkola 2 vjeçe, Indrit Përkola
10-vjeçar, Rahman Përkola 13 vjeç dhe Fatime Përkola 43 vjeçe. Fëmijët kanë rezultuar me dëmtime në kokë, rrjedhje gjaku nga veshët dhe gërvishtje e goditje në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa më rëndë është aksidentuar 43-vjeçarja Fatime Përkola, e cila ka pësuar dëmtime në organet e brendshme. Ndërkohë, pjesa më e madhe e të plagosurve të shtruar në Spitalin e Bulqizës, pasi janë mjekuar, janë kthyer në shtëpitë e tyre, duke lënë ende në spital vetëm tre prej tyre nën kujdesin mjekësor. Burime nga policia lokale konfirmojnë se shkaku i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit të drejtimit të mjetit nga ana e shoferit. Ndërkohë mësohet se drejtuesi i mjetit është i ndaluar dhe shoqëruar për në ambientet e komisariatit të policisë, ku është marrë në pyetje për rrethanat e aksidentit, ndërkohë që ekspertët po hetojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes së rëndë rrugore, që për pak është shndërruar në një tragjedi të vërtetë.