E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbyset barka me pedale, katër pushues rrezikojnë jetën

Për pak është kthyer në një tragjedi shëtitja në det e katër pushuesve në plazhin e Golemit. Barka me pedale me të cilën po vozisnin, është përmbysur shumë larg bregut të detit dhe vetëm ndërhyrja e policisë kufitare ka bërë të mundur shpëtimin e jetës së tyre. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se katër pushuesit nga qyteti i Gramshit, me moshë nga 9-24 vjeç, kishin dalë për të shëtitur në det me një barkë-pedalo. Mësohet se Elvis Hida 9 vjeç, Eli Berja 10 vjeç, Ervis Balla 24 vjeç dhe 21-vjeçari Adrian Visha, janë gjetur në ujë nga mjeti lundrues gomone D-62 i policisë kufitare bregdetare, pasi barka e tyre ishte përmbysur. Kanë qenë pushuesit e plazhit të Golemit, që pasi kanë parë se të rinjtë teksa ndodheshin në vështirësi, kanë njoftuar stacionin e policisë kufitare në plazhin e Golemit. Menjëherë në ndihmë të katër pushuesve është nisur një gomone, e cila ka bërë të mundur kthimin e tyre shëndoshë e mirë në breg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›