Pollo: Fitorja është e sigurt
Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit Genc Pollo zhvilloi disa takime elektorale në fshatrat e këtij qarku, ku ju premtoi banorëve se PD-ja synon një rezultat të thellë fitoreje në zgjedhjet elektorale që do të zhvillohen në 28 qershor. Ajo që duam ne është që gjithë Berati të mos mbetet në xhepin e Erion Braçes, apo në xhepin e ndonjë Erioni tjetër, që e ka mbajtur aty dhe nuk ka bërë asnjë gjë për të.
Të mos mbetet në flamurin e grisur të Edi Ramës, që nuk guxon as të shkruajë emrin deputet dhe jo më të kandidojë për kryeministër, u shpreh Pollo. Ai vijoi fushatën me takime në Urën Vajgurore, në bashkinë e Beratit, edhe në Poshnje. Pollo ju kujtoi banorëve të këtyre zonave premtimet që ishin bërë nga qeveria Berisha 4 vjet më parë, ku theksoi se të gjitha ato premtime ishin mbajtur, ku përmendi faktin se 4 vjet më parë u premtua se Berati dhe fshatrat përreth do të kishin 24 orë në ditë drita dhe ujë, dhe sipas tij të gjitha këto premtime u realizuan.Ndër të tjera Pollo tha se do të vazhdohet të punohet akoma dhe më shumë nga kjo qeveri për të rritur akoma dhe më shumë standardin e jetesës. Ai përmendi dhe projektin rrugor për këtë zonë, rrugën e pagëzuar si Boshti i Jugut, që sipas tij, është investimi më i madh për Pashallinë, Urën Vajgurore e gjithë Beratin. Ai ju premtoi banorëve se do të bëjë që kjo rrugë të shkojë në Tiranë në një afat prej 50 minutash, sipas tij ky është çelësi i zhvillimit të ekonomisë, sepse ku ka rrugë, ka qarkullim, ka edhe investime.