E Shtunë, 31 Tetor 2026

45 mijë gurë mermeri për "Bukuroshen e Durrësit"

Me mbi 45 mijë gurë mermeri me pesë ngjyra, artisti Isa Shuaipi ka realizuar një imitim artistik të mozaikut "Bukuroshja e Durrësit", me gjatësi 120 cm dhe gjerësi 80 cm. Shuaipi sapo ka përfunduar këto ditë mozaikun e Bukuroshes së Durrësit, një imitim me përmasa më të vogla i veprës së mjeshtërve ilirë të shekujve 4-3 para erës sonë, duke i dhënë jetë fytyrës së gruas së hijshme me qëndrim monumental dhe motivet floreale pranë saj, siç e kanë përcaktuar shkencëtarë arkeologë nga gjithë bota. Isa Shuaipin ka punuar rreth katër muaj për krijimin e tij të fundit me motive nga historia e qytetit 3000-vjeçar ku ka lindur dhe jeton.  Ai njeh prej kohësh historinë e zbulimit të mozaikut më të njohur të Shqipërisë, që prej vitit 1981 ndodhet në hyrje të muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Vendndodhjen e mozaikut "Bukuroshja e Durrësit" e përshkruajnë në një libër të botuar në 1920 arkeologët austriakë Shober dhe Prashniker, të cilët në vitet e luftës së parë botërore e ndeshën atë në një nga transhetë që hapnin në qendër të Durrësit ushtarët. Mbi këto shënime arkeologu i mirënjohur Vangjel Toçi në vitin 1959 identifikoi vendin dhe e bëri të vizitueshëm mozaikun e vendosur në dyshemenë me përmasa afro 5 metra me 3.5 metra të një banese pasanikësh. Artisti Shuaipi pas viteve 1990 emigroi në Itali dhe më pas iu kushtua punimeve të mermerit. Artisti i mermerit që ka rikrijuar amfiteatrin antik, Torrën mesjetare, muret bizantine, forumin rrethor dhe xhaminë e qytetit, tashmë synon që të hapë një ekspozitë në qendër të qytetit, pikërisht aty ku ndodhen edhe pjesa më e madhe e monumenteve qindravjeçarë. Drejtori i muzeve, Edmond Agolli tregon se punimet prej mermeri dhe alabastre mund të vendosen në shesh-pushimin para pallatit të kulturës Aleksandër Moisiu dhe koha më e mirë për ekspozimin është muaji korrik, kur qyteti i Durrësit mbushet me turistë nga vende të ndryshme të botës por dhe nga Kosova dhe Maqedonia.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›