E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundërshtoi me armë policët, prangoset Gentian Suti

Policia e Laçit ka arrestuar një person i cili në 20 janar të këtij viti ka qëlluar me armë drejt forcave speciale të këtij qyteti. 31 vjeçari Gentian Suti është arrestuar nga policia pasi në 20 janar të këtij viti së bashku me vëllanë e tij, kanë mbajtur "peng" qytetin e Laçit duke sulmuar me armë grupin e gatshëm të policisë, vetëm dy orë pasi ishin liruar nga qelitë e paraburgimit të Komisariatit Kurbin. Sipas policisë, më 20 janar të këtij viti, Artur Suti, ndërsa po udhëtonte me një motor tip "Yamaha" dhe xhironte gomat në rrugët e qytetit të Laçit duke prishur rendin e qetësinë, është shoqëruar nga grupi i gatshëm. Aty është mbajtur deri në orën 23:00 të mbrëmjes për këtë akuzë dhe më pas është liruar. Ndaj Artur Sutit është vendosur edhe një gjobë, ndërsa rreth orës 00:30, tek vendi i quajtur "Kryqëzimi i Pazarit", në shëtitoren e qytetit, dy të rinjtë, Gentian Suti së bashku me vëllanë e sapoliruar, Artur Suti, që udhëtonin me mjetet "Benz 250" pa targa, me ngjyrë blu, si dhe një motor "Yamaha", nuk i janë bindur urdhrit të patrullës së policisë për të ndaluar. Gjatë këtij momenti, një prej vëllezërve, dyshohet Artur Suti, ka zbritur prej motorit duke nxjerrë pistoletën dhe qëlluar në ajër, e në drejtim të makinës së policisë. Mjeti motor është lënë në rrugë dhe të rinjtë janë larguar me makinën tip "Benz". Në patrullën e policisë, gjendeshin në shërbim efektivet Ilir Xheka, komandant grupi, Luan Topalli dhe Marjan Laska, që për fat të mirë nuk pësuan dëmtime trupore. Ishin pikërisht këta efektivë policie që bënë edhe shoqërimin e Artur Sutit, pasditen e së hënës për në paraburgim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›