E Diel, 1 Nëntor 2026

Niko Zaka, shkencëtari i shquar i Mekanikës Shqiptare

>Nga Orhan Zarshati     
Bashkëpunëtorët, kolegët, miqtë, familja dhe të afërmit, përkujtuan më 24 janar të vitit 2009 në një nga mjediset e Hotel Mondial në Tiranë, një vjetorin e ndarjes nga jeta të njërit prej shkencëtarëve më të shquar të mekanikës shqiptare, Prof. Niko Zakës. Prof. Niko Zaka është dalluar për një veprimtari me diapazon të gjerë të trajtesave teknike dhe shkencore në fushë të mekanikës së vendit tonë. Mendja e këtij shkencëtari poliedrik ka rrokur dhe dhënë një kontribut shumë të vyer në këtë fushë. Veprimtaria didaktiko-pedagogjike nuk është ndarë asnjëherë nga hulumtimi shkencor dhe analiza e hollë tekniko- ekonomike e shoqëruar kjo me punën eksperimentale- laboratorike në katedrat e Inxhinierisë Mekanike, fillimisht të Universitetit të Tiranës dhe më vonë në departamentet e Universitetit Politeknik të Tiranës. Padyshim që Prof. Niko Zaka është rasti ideal i kombinimit në një person të vetëm i pedagogut, shkencëtarit, organizatorit të punës eksperimentale- prodhuese në shumë sektorë të mekanikës shqiptare, ku gjithmonë është shquar për një intuitë të habitshme dhe për tu admiruar, në trajtimin e problemeve. Aq i vërtetë është ky cilësim, saqë kur ishte një pedagog i ri universitar, tërhoqi vëmendjen e njërit nga shkencëtarët më në zë të mekanikës teorike të Francës, profesorit të madh Moris Godet (Gode), i cili në vitin 1983 kishte ardhur i ftuar nga Fakulteti i Inxhinierisë, ku mbajti leksionin Mbi disa çështje teorike të mekanikës së kontaktit. Prof. Godesë i bëri përshtypje pedagogu i ri shqiptar, Niko Zaka, i cili me pyetjet e tij kishte reflektuar një pasuri të madhe shumëdisiplinore mbi tërë thellësinë e zhvillimeve bashkëkohore  të mekanikës teorike, eksperimentale dhe të aplikuar. I impresionuar Prof. Gode u tha të pranishmëve dhe kolegëve të Niko Zakës, që ky i ri duhet të trajtohet me kujdes nga ju. Prof. Niko Zaka ishte mbi të gjitha një njeri miqësor, i dashur dhe kompaktibël me ata që e lidhte puna, me kolegët dhe studentët.Ai karakterizohej nga një gjallëri dhe humor i veçantë dhe paraqiste një dimension të lartë human. Prandaj ai tërhoqi një simpati të madhe të studentëve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Si shkencëtar me formim solid intelektual, ai shfrytëzoi mirë dukurinë bashkëkohore të puqjes së shkencave, prandaj në trajtesat e tija shkencore dallohej nga studimi i thelluar teorik i fenomenit dhe nga përdorimi i metodave matematikore të mbështetura në një aparat matematik të evoluar, si në teorinë e probabilitetit, statistikën matematikore, analizën dhe njehsimin numerik, duke zbatuar njëkohësisht teknikën llogaritëse bashkëkohore- kompjuterat. Ai përdori me sukses në përllogaritjet e elementëve të makinave teorinë e elasticitetit dhe të plasticitetit,dinamikën e makinave dhe analizën harmonike për vibracionet e elementëve të makinave. Ai u shqua në trajtimin e ndërbashkimit të elementëve të makinave të përmbledhura në tekstet e Tolerancave dhe Vendosjeve e të Matjeve Teknike. Kulmin e studimeve dhe kërkimeve shkencore në fushë të mekanikës, ai e arriti në disertacionin e tij për të fituar gradën shkencore të Doktorit të Shkencave Teknike, të titulluar: Përcaktimi i precizionit operacional për rritjen e efektivitetit të procesit të prodhimit në industrinë mekanike; një vepër me të vërtetë madhore. Dy disiplinat bazë të formimit konstruktiv të studentëve, si: Detalet (elementët) e makinave dhe Tolerancat e Matjet Teknike, në vazhdim të trashëgimisë së shquar të Prof. Dhimitër Mihalit, gjetën tek Prof. Niko Zaka shkencëtarin e duhur, i cili me përkushtim i ngriti ato lart në rrafshin që e kërkonin Shkollat Evropiane të formimit bazal inxhinjerik, aq shumë të nevojshëm për vendet e vogla; vënë në dukje dy kolegë të shquar të tij, Prof. Dr. Bashkim Baholli dhe Prof. Dr. Robert Progri.  Në mbrëmjen përkujtimore familja e tij e nderuar u shpërndau të pranishmëve librin e titulluar Kontribute në shkencën e mekanikës shqiptare, që është një përmbledhje e disa artikujve dhe studimeve të Prof. Niko Zakës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kjo përmbledhje është një pasqyrim i karrierës së tij të pasur didaktikë kërkimore- shkencore dhe projektuese në lëmin e konstruksioneve mekanike, ku ai spikat si një nga figurat kryesore të shkencës së mekanikës në vendin tonë. Gjatë një periudhe të gjatë, rreth 45 vjeçare, si fryt i veprimtarisë së tij shkencore, didaktike, eksperimentale, projektuese dhe organizative, si autor dhe bashkautor, ai ka lënë një trashëgimi të pasur veprash e punimesh të botuara, ku përfshihen 9 libra dhe monografi,16 artikuj të rëndësishëm shkencorë, 12 studime, 11 referime e shumë punime të tjera; për çka është vlerësuar me dekorata dhe urdhra nga Kuvendi i Shqipërisë. Disa nga të pranishmit në mbrëmjen përkujtimore argumentuan kërkesën për ta nderuar këtë shkencëtar të shquar me titullin Akademik, pas vdekjes (postmortum), çka u pranua njëzëri. Prof. Niko Zaka u nda para kohe nga jeta, mbas një sëmundjeje të rëndë, më 27 janar 2008.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›