E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori i SHBA Uidhers: Shqipëria, në qendër të rajonit Ballkanik

>Gjatë aktivitetit të zhvilluar dje në forumin  mbi Politikën e Jashtme Amerikane, amerikan Uidhers u shpreh i kënaqur për nivelin e pjesëmarrjes në aktivitetin e organizuar, ku merrnin pjesë dhjetëra personalitete nga lidershipi i politikës shqiptare. Duke shprehur kënaqësinë e tij për këtë takim ambasadori Uidhers u shpreh se zgjedhja e një presidenti afro-amerikan është një erë e re për amerikën dhe mbarë botën. Sot, ashtu si çdo katër vite, festojmë përurimin e një presidenti të ri të Sh.B.A., Presidentit Barak Obama.  Është posaçërisht e veçantë sepse për herë të parë në afro 400 vjet, ne festojmë përurimin e një presidenti afro-amerikan.  Besoj që këto dy ngjarje, të dyja këto zhvillime parashohin një erë të re në marrëdhëniet botërore dhe në marrëdhëniet Sh.B.A.-Shqipëri, u shpreh ambasadori Uidhers.   Sipas ambasadorit amerikan,  era e re e presidentit të ri do të konsistojë në një erë ndryshimi në të gjitha fushat, në drejtimin  SHBA, në drejtimin e politikave ekonomike, në marrëdhëniet racore brenda Shteteve të Bashkuara dhe jashtë tyre.  Sipas Uidhers, në ditën e dytë në detyrë, Presidenti dekretoi që procedimet e debatueshme gjyqësore në Guantanamo do të marrin fund.  Nuk besoj se deshi të thoshte që ato procedura ishin domosdoshmërisht të jashtëligjshme apo kundër sundimit të ligjit, por që, në çdo rast, aty ku ka një perceptim, një përshtypje, një dyshim se sistemi gjyqësor i Shteteve të Bashkuara nuk funksiononte plotësisht, ai do të bënte ndryshime.  Edhe ata që dyshohen për kundravajtje, si të burgosurit në Guantanamo, do të kenë ditën e tyre për të dalë në gjykatë dhe një sistem gjyqësor në Shtetet e Bashkuara tek i cili ai ka besim të plotë. Dhe së fundi, është dashuria e tij e thellë dhe e palëkundur për demokracinë.   Ndërsa përsa i përket politikës së presidentit të ri amerikan për çështjen e Ballkanit dhe të Shqipërisë, ambasadori amerikan tha: Së pari, më lejoni të them: Shqipëria nuk ka pasur mik më të mirë se sa Presidenti Xhorxh U. Bush.  Nën drejtimin e tij, marrëdhënia mes vendit tim dhe Shqipërisë arriti majën.  Bashkëpunimi mes dy vendeve tona nuk ka qenë kurrë më i mirë.  Dhe këtë mund ta shohim në mbështetjen e tij të fortë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, një ngjarje që sigurisht shpresojmë dhe presim me kënaqësi të ndodhë në prill të këtij viti.  Ambasadori Uithers në fjalën e tij pasqyroi ndjenjën e trishtimit për largimin e presidentit Bush duke garantuar panelin se, Presidenti Obama do të jetë një mik i madh i Shqipërisë, sipas traditës së gjatë të presidentëve amerikanë dhe që shkon deri tek Presidenti Uillson.  Sipas Uidhers, nën drejtimin e Presidentit Obama,  do të ketë një Shqipëri në qendër të një rajoni ballkanik që ka stabilitet dhe paqe, një  Shqipëri që jeton, bashkëpunon dhe ndihmon fqinjin e ri të pavarur Kosovën siç ka bërë për gjithë këto vite. Ndërkohë ambasadori amerikan thekosi se, Shqipëria do të jetë pjesë e aleancës më të fuqishme, pjesë e së cilës ka qenë edhe Amerika, në Aleancën e NATO në Prill.

    ***********************************************
Uidhers garanton Topin për mbështetjen e Obamës
Dita e djeshme ka qenë ditë aktive për kreun e diplomacisë amerikane në Shqipëri, ambasadorit Xhon Uidhers. Në takimin e radhës me presidentin Topi, zoti Uidhers u shpreh se anëtarësimi në NATO kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të lira në vend. Ndërkohë që sipas njoftimit nga presidenca, në takimin midis Presidentit Topi dhe ambasadorit Uidhers,  janë diskutuar edhe zhvillimet e fundit politike në vend si ligji për pastërtinë e figurës dhe raportet e fundit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës, tema të cilat kanë qenë ngjarjet më të përfolura gjatë kësaj periudhe nga politika shqiptare.
Në këtë takim, Presidenti Topi i shprehu ambasadorit Uithers urimet për Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve do intensifikohen e forcohen më tej nën drejtimin e Presidentit Obama. Presidenti Topi i ka shprehur Ambasadorit amerikan vendosmërinë për angazhimin e tij për të qenë gjithnjë partner i vendosur përkrah SHBA në të gjitha sipërmarrjet e saj, në funksion të thellimit të reformave demokratike, të ruajtjes së stabilitetit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Shqiptarët i mbeten mirënjohës SHBA për mbështetjen në të gjitha proceset demokratizuese por edhe integruese të vendit tonë, - ka thënë Presidenti Topi gjatë takimit. Kryetari i Shtetit ka nënvizuar se kjo miqësi historike mes dy vendeve i nxit shqiptarët që të punojnë akoma më shumë në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që kërkon integrimi euroatlantik. Nga ana e tij ambasadori Uithers e ka siguruar Presidentin Topi për vazhdimësinë e mbështetjes dhe vëmendjes të administratës Obama për hapat që Shqipëria po ndërmerr për forcimin e demokracisë, mbrojtjes e respektimit të Kushtetutës, institucioneve të pavarura, luftës kundër korrupsionit dhe funksionimit të shtetit ligjor. Hapat e domosdoshme për anëtarësim në NATO, zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të lira dhe të ndershme, të qershorit 2009, zhvillimet e fundit politike në vend si ligji për pastërtinë e figurës dhe raportet e fundit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës, ishin pjesë e bisedës midis Presidentit Topi dhe Ambasadorit Uithers.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›