Korçë, shtohen rastet e grabitjeve në rrugë
Rriten frikshëm rastet e grabitjeve në rrugët e qytetit të Korçës gjatë dy muajve të fundit. Viktimat më të "preferuara" të hajdutëve ordinerë duket se janë vajzat dhe gratë, të cilave mund t‘ua rrëmbejnë lehtë bizhuteritë, varëset, orët e dorës apo portofolat. Hajdutët përdorin në të shumtën e rasteve të njëjtin stil dhe skenar: sulmojnë në rrugica gra të pashoqëruara, ku në mungesë të dëshmitarëve të tjerë, realizojnë edhe grabitjet e dhunshme që shoqërohen me rrahje dhe plagosje të viktimave të pafuqishme femra. Vendet më të preferuara mbeten rrugicat dhe rrugët dytësore të qytetit. Burime të policisë lokale konfirmojnë se në dy muaj e fundit ka pasur një shtim të denoncimeve nga gratë që sulmohen nga hajdutët në rrugë. Pranë Komisariatit të Policisë janë raportuar të paktën 17 raste të këtyre sulmeve për grabitjen e varëseve prej floriri, çantave nga supet e grave, telefonat që mbahen në duar apo edhe bizhuteritë. Sipas policisë lokale bëhet fjalë kryesisht për hajdutë në mosha të mitura që veprojnë të vetëm ose në grupe prej tre personash. Por nga hetimet e këtyre rasteve të denoncuara ka pasur edhe të rinj që njihen për precedentë penale ose si përdorues të lëndëve narkotike. Policia e Korçës ka mundur të shoqërojë për këto raste vjedhjesh me dhunë të paktën 5 persona, ndërkohë që një pjesë tjetër lihen në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur. Vetëm një ditë më parë, Policia e Korçës ka mundur të zbulojë dy autorë, një prej të cilëve 17 vjeç dhe një tjetër 22 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë sulmuar një shtetase në rrugë për t‘i rrëmbyer nga qafa një varëse floriri. Burimet e policisë kanë deklaruar zyrtarisht se kanë ndaluar gjatë 24 orëve dy shtetas. S.S., 17 vjeç, banor i lagjes 6 të qytetit është arrestuar bashkë me një shok të tij, 22-vjeçarin Armando Dule, pasi kishin sulmuar një shtetase në një nga rrugicat e lagjes 15 të Korçës. Këta dy shtetas i kanë këputur varësen e floririt nga qafa një gruaje rreth orës 17.30 minuta të së mërkurës, ndërkohë që pas denoncimit të të dëmtuarës, policia ka mundur të zbulojë autorët. Pasi e kishin grabitur gruan në moshë, dy autorët kishin shkuar në një dyqan bizhuterish në afërsi me vendin e ngjarjes për ta shitur varësen e floririt. Pak kohë më parë, Policia e Korçës arrestoi një tjetër 23-vjeçar, që njihej si përdorues droge, pasi grabiti një shtetase në afërsi të unazës së brendshme të qytetit, ndërsa kishte dalë për shëtitje.