Trafikoi mbesën, burg tezes dhe të dashurit të saj
Detyroi mbesën të punojë si prostitutë në Greqi, dënohet me shtatë vjet heqje lirie, ndërkohë që i dashuri i saj është dënuar me nëntë vjet burg. Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Beratit i ka dhënë fund dje gjykimit për Sara Cankon dhe të dashurit të saj Jani Mejdi, të cilët janë shpallur fajtorë dhe dënuar në total me 16 vjet heqje lirie për trafikimin e M.D., vajza e motrës së 24-vjeçares. Ka qenë kryetari i trupit gjykues Nazmi Troka, i cili, në seancën e fundit në ngarkim të këtij procesi, pasi ka shqyrtuar të gjitha faktet, ka deklaruar shpalljen fajtor të 24-vjeçares Canko dhe bashkëpunëtorit të saj, Mejdi. Tezja tutore, e cila e ka pritur vendimin në masën e "arrestit në shtëpi", u akuzua se trafikoi për disa muaj me rradhë në banesën e saj në Greqi mbesën e saj 18-vjeçare, me inicialet M. D. Së bashku me 24-vjeçaren, është gjykuar i dashuri i saj, me të cilin ajo bashkëjetonte, Jani Mejdi, nga Saranda. Ndërsa Canko është dënuar me 7 vjet burg, pasi është cilësuar fajtore për veprën penale të "trafikimit për qëllime prostitucioni në rrethana rënduese". Ndërsa 43-vjeçari Mejdi është shpallur fajtor dhe dënuar me nëntë vjet heqje lirie për veprën e "trafikimit të prostitucionit për qëllime përfitimi në rrethana rënduese" dhe "dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit". Dy të akuzuarit u denoncuan në muajin prill të vitit të kaluar nga 18-vjeçarja me inicialet M. D., që është vajza e motrës së Cankos. Adoleshentja nga Berati ka akuzuar tezen dhe të dashurin e saj, se e kanë shfrytëzuar si prostitutë për disa muaj gjatë kohës që jetonte në shtëpinë e tyre në kryeqytetin grek, Athinë. Adoleshentja nga Berati, e cila braktisi shkollën për një jetë më të mirë që i kishte premtuar tezja e saj Sara Canko, deklaroi se është dhunuar dhe prostituuar për disa muaj nga tezja dhe i dashuri i saj, në banesën e tyre në kryeqytetin helen. Pas këtij denoncimi, Policia e Beratit prangosi më 25 prill të vitit të kaluar tezen e 18-vjeçares, ndaj të cilës gjykata vendosi masën e sigurisë "arrest shtëpie", ndërsa i dashuri i saj, pas arrestimit mori vlerësimin me "arrest në burg".