E Diel, 1 Nëntor 2026

Shumaker, 1 milion euro për çdo garë në vend të Masës

Felipe Masa po bëhet gjithnjë e më mirë dhe bën shaka për vendimin e Majkëll Shumaker për t‘u rikthyer në vendin e tij te Ferrari, pas incidentit të rëndë të Hungaroringut. "Shumaker? Po, shumë mirë, nëse nuk do të jem unë...". Ky ka qenë reagimi i parë i Masës. Sipas parashikimit të Dino Altman, mjekut personal të brazilianit, ai mund të kthehet në shtëpi që të dielën. "Nëse gjithçka ecën kështu si deri tani, mund të kthehet në shtëpi të dielën", tha Altman. Ndërsa Shumi do t‘u nënshtrohet shumë kontrolleve mjekësore për disa ditë. Është në formë të mirë, por për të marrë "ok"-in do t‘i duhet të presë pak. Drejtori i klinikës, Juhanes Peil, thekson: "Nëse gjatë këtyre muajve të fundit, nuk do të ishte stërvitur gjithmonë, rikthimi në pistë do të ishte i pamundur". Piloti duhet të rinovojë licencën e tij në FIA, pasi ajo skadon në fund të çdo kampionati. Për marrjen e vendimit, Shumi nuk e ka dëgjuar këshillën e menaxherit të tij Vili Veber, i cili ishte shprehur 200% i sigurt për mosrikthimin në pistë: "I thashë të mos pranojë, duke insistuar për faktin se, pritshmëria e madhe e njerëzve ishte një problem. Nëse Majkëll Shumaker rikthehet, njerëzit presin që ai të fitojë", tha Veber. Gjermani është rifutur në lojë dhe sigurisht nuk do ta bëjë gratis, pasi mësohet se pas çdo gare të zhvilluar, llogaria e tij në bankë do të rritet me 1 milion euro. Pas rikthimit të mbretit (në stilin Lordi i Unazave), i cili do t‘i dhuronte një publicitet të madh gjithë Cirkusit (që e kishte të nevojshme pas mijëra çështjeve, të cilat kanë prishur imazhin e F1), ekzistojnë edhe arsye "biznesi" dhe jo vetëm besnikëri për kauzën, të cilat kanë bindur gjermanin të pranojë. Kontrata e tij prej konsulenti të artë të "kokëkuqes" (flitet për 5 milionë euro) është shumë pranë rinovimit. Duke u përgjigjur "si urdhëron" në këtë moment të vështirë, ai vë në vijë edhe hapjen e tratativave të rinovimit menjëherë pasi të ulet për herë të fundit në makinën e garave. Kush e njeh Shumakerin, gjatë këtyre orëve po përjeton një ndjenjë të veçantë. Qarkullojnë hipotezat se, nëse 7 herë kampioni i botës do të jetë në gjendje të çojë Ferrarin në pod në vazhdimësi gjatë këtyre garave, kjo mund të jetë një shkëndijë për ta mbajtur atë edhe për Botërorin 2010 të F1. Të flasim troç. Hipoteza: nëse Masa nuk rikthehet dot në kohë dhe në fund të sezonit vjen Fernando Alonso, atëherë Raikonen mund të largohet, edhe pse ndihet i fortë dhe ka një kontratë deri në fund të 2010-ës. Por Shumi është Shumi. Ai mund të demonstrojë se është një "Highlander" dhe se ka dëshirë për të vazhduar më tej. Ideja e çmendur është dyshja ferrariste Shumi-Alonso. Por është edhe një mundësi për të qëndruar të tre (Shumi, Alonso, Raikonen), nëse FIA (sikurse përflitet) do të miratojë garimin me tri makina për skuadër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›