E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, shtohen rastet e vjedhjeve

Rriten frikshëm rastet e bastisjeve të dyqaneve e banesave në zonën e Korçës. Gjatë këtij muaji, rastet e denoncimeve për vjedhje të banesave e dyqaneve në qytetin e Korçës, por edhe në rrethinat e tij, kanë qenë të shumta, ndërkohë që burimet e policisë konfirmojnë se vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër raste të reja. Të njëjtat burime pohojnë se çdo ditë kryhen disa vjedhje, që nga ato në vlera të vogla deri në ato më "të majmet", siç është rasti i dyqaneve të argjendarive. Burimet e policisë pohojnë se vetëm gjatë ditës së diel janë kryer katër vjedhje me thyerje gjatë orëve të natës, dy prej të cilave në qytet dhe dy të tjera në fshatrat Drenovë dhe Sovjan. Sipas policisë, të katër rastet e fundit kanë qenë vjedhje në banesa, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar. Vetë të dëmtuarit kanë denoncuar në organin blu mungesën e objekteve në shtëpitë e tyre. Policia ka nisur hetimet, edhe pse dëmet nuk kanë qenë në vlera të mëdha. Sipas policisë lokale grabitjet janë kthyer sërish në problem në juglindje të vendit dhe të gjitha rastet rezultojnë të jenë kryer me thyerje gjatë orëve të natës. Vetëm për muajin tetor, në zonën e Korçës, janë konstatuar të paktën 13 raste të vjedhjeve, ndërsa për sa i përket dëmit që kanë shkaktuar, grabitja më e madhe ka qenë ajo e një dyqani floriri, ku hajdutët kanë marrë sende të çmuara, vlera e të cilave shkon deri 4 milionë lekë. Burimet policore pohojnë se dyshimet kryesore bien ndaj personave të mitur që njihen për precedentët në vjedhje, megjithatë për rastet e vjedhjeve të objekteve si dyqane, shkolla dhe banesa mendohet të jenë përfshirë edhe persona të rritur. Gjithmonë duke iu referuar policisë lokale, dyshohet se autorët janë përdorues të lëndëve narkotike dhe po hetohet mes personave të njohur nga uniformat blu si përdorues drogash.

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›