E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, të paraburgosurit në grevë urie

Grevë urie në dhomat e paraburgimit në komisariatin e Korçës. Prej tri ditësh 90 prej të paraburgosurve kanë refuzuar të marrin ushqimin në shenjë proteste, pasi sipas tyre ata janë dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga policia. 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

 Fakti i bërë i ditur nga vetë të paraburgosurit, konfirmohet edhe nga burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Mësohet se, në rrethana ende të pasaktësuara, të paraburgosurit kanë siguruar një telefon celular, me anë të të cilit kanë mundësuar kontaktimin me gazetarë të një televizioni lokal të qytetit të Korçës. "Jemi të fyer dhe të dhunuar dhe vetëm tek ju gazetarët kemi besim që do të çoni zërin tonë në instancat më të larta të shtetit. Ju lutemi na ndihmoni!", kanë pohuar ata në telefonatën, e cila është e regjistruar nga gazetarët. Në telefonatën që ka zgjatur pak minuta, rreth 6 të paraburgosur ia kanë kaluar telefonin njëri- tjetrit duke bërë të ditur situatën e atjeshme dhe duke folur me tone negative kundrejt stafit të policisë. Ndërsa kapaciteti i dhomave të paraburgimit të këtij komisariati është 45 persona, prej vitesh numri më i vogël i të paraburgosurve që qëndron aty është 90, pa përjashtuar raste kur ky numër ka shkuar në 120 vetë. "Kushtet e këqija, përfshi edhe mbipopullimin e dhomave tona ne e kemi marrë parasysh, por nuk mund të durojmë dhunën fizike dhe psikologjike që ushtron mbi ne shefi i policisë së paraburgimit, Adrian Shehu, që na dërgon grupin e gatshëm për të na rrahur. Gjurmët e kësaj dhune i kemi në gjithë trupin tonë, ejani dhe i shikoni", janë shprehur ata. "Ne ende nuk jemi shpallur nga gjykata të fajshëm, ndaj askush nuk ka të drejtë të na rrahë me grushte, shqelma e shkopinj gome", shtojnë të paraburgosurit. "Nëse do të vazhdojnë të na keqtrajtojnë ne do të presim damarët e do të vetëflijohemi, ndaj ju kërkojmë ndihmë për të informuar instancat e larta të shtetit se çfarë po ndodh në qelitë tona", vijojnë ata. Të paraburgosurit kanë kërkuar që nëpërmjet medias të informohen presidenti, kryeministri, ministri i Drejtësisë dhe Avokati i Popullit se në dhomat e paraburgimit në Korçë policia ushtron dhunë psikologjike e fizike. "Le të krijojnë një grup ekspertësh e ta dërgojnë këtu tek ne për të parë plagët e hematomat e grushteve, shqelmave dhe shkopinjve të gomës në trupat tona", kanë deklaruar ata duke bërë të ditur edhe identitetin e dhunuesve të tyre. Stafi i dhomave të paraburgimit ka qenë të rezervuar dje ndaj medias, ndërkohë që kanë pohuar se kanë ndërmarrë një kontroll të imët të qelive për të gjetur telefonin celular ilegal. Po dje një grup punonjësish të sektorit të paraburgimit në Ministrinë e Drejtësisë ka mbërritur në mjediset e paraburgimit të Korçës. Në një prononcim për "Panorama"-n, kreu i këtij sektori në ministri, Genci Shtylla, ka pohuar se mbërritja e këtij grupi në Korçë ka qenë vetëm për një inspektim të zakonshëm. "Gjithçka është normale. Kush ju ka thënë se ka protestë dhe grevë jurie?", është shprehur ai. Bëhet e ditur se ministri i Drejtësisë ka thërritur në një takim që do të zhvillohet ditën e sotme drejtorin e sektorit të paraburgimit në Korçë, Ardian Shehu. Ai do të jetë i pranishëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për të dhënë sqarime për situatën në Korçë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›