E Shtunë, 31 Tetor 2026

Analizat, të sëmurët nga uji i ndotur

Nuk ka më dyshime se virusi që infektoi 46 persona në Urën Vajgurore, është shfaqur nga uji i pijshëm. 

Lajmi konfirmohet pas analizave të kryera në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, sipas të cilave uji ka rezultuar me ndotje të shkallës së lartë bakteriale dhe kimike. Si i tillë, ky ujë nuk mund të përdoret më për konsum. Ndërkohë që prej ditës së djeshme, nga ana e Bashkisë së Urës Vajgurore është bërë bllokimi total i ujësjellësit, si dhe janë njoftuar banorët që të mos përdorin më këtë ujë. Petraq Çami, inspektor i shëndetësisë, ka pohuar se, sipas rezultateve të analizave, uji është i ndotur bakterialisht dhe kimikisht nga fekalet, si edhe nga mbetjet e lëndëve plasëse që përdoren nga pronarët e minierave të gurores. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se uji i këtij ujësjellësi prej vitesh kishte dhënë shenja të ndotjes. Por për të nuk ishte dhënë alarm, pasi rezultatet e analizave të kryera në laboratorët e higjienës në Urën Vajgurore, nuk tregonin një shkallë ndotjeje të tillë. Sipas Çamit, në këtë ujësjellës prej vitesh kanë dominuar ujërat e zeza, të cilat kanë krijuar një ndotje të madhe, duke rrezikuar seriozisht në mënyrë të vazhdueshme jetën e banorëve. Ndërkohë që pas mbylljes së ujësjellësit bëhet e ditur se nga ana e bashkisë janë marrë të gjitha masat për të parandaluar konsumimin e ujit të pijshëm nga popullata. Kryetari i Bashkisë, Syrja Ormeni, është shprehur për "Panorama" se është bërë bllokimi i ujësjellësit në të gjitha pikat e shpërndarjes. Si zgjidhje të kësaj situate ai ka pohuar se bashkia do të verë në dispozicion të qytetarëve disa autobote për të furnizuar ata me ujë të pijshëm. Përparësi në furnizimin me ujë do të kenë familjet që nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë atë. Bëhet e ditur se botet që do të shpërndajnë ujin e pijshëm do të jenë nën kontrollin e qendrës shëndetësore për të kryer analizat përkatëse çdo ditë. Specialistët kanë sqaruar se, për shkak të shkallës së lartë të ndotjes, uji i ndotur paraqet rrezik edhe nëse përdoret për të larë. Ndërkohë ata kanë pohuar se edhe pse janë dashur disa ditë për të zbuluar prejardhjen e virusit, në Urën Vajgurore nuk shihet më rreziku i shfaqjes së kolerës. Virusi që infektoi plot 46 vetë në Urën Vajgurore u shfaq pesë ditë më parë, kur rreth 40 persona, nga të cilët 30 fëmijë, u shtruan në spitalin rajonal të Beratit me simptoma të temperaturës së lartë, diarresë, dhimbjeve të barkut dhe të vjella. Në ditët në vazhdim edhe 6 fëmijë të tjerë u prekën nga ky virus. Pas ndërhyrjes së mjekëve gjendja e tyre është stabilizuar. Edhe pse nuk dihej prejardhja e këtij virusi, dyshimi kryesor që në fillimet e shfaqjes së tij ishte ndotja e ujit të pijshëm. Që në ditët e para grupe inspektimi të ngritura nga prefektura dhe nga Drejtoria e Shëndetit Publik ndërmorën aksione për kontrollimin e pikave të grumbullimit të ujit të pijshëm, si edhe për klorifikimin e tij.

Ujësjellësi i ri

Bashkia e Urës Vajgurore do t'i kërkojë qeverisë një fond të veçantë dhe tepër urgjent për ndërtimin e një ujësjellësi të ri për të furnizuar 12 mijë banorët e tij. Kjo kërkesë ka ardhur pas pezullimit të konsumit të ujit të ujësjellësit aktual prej banorëve, duke rrezikuar një epidemi masive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›