E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, komunat kërkojnë zonat turistike

SARANDE - Çështjet e bashkëpunimit dhe angazhimit të dy pushteteve, atij qendror dhe pushtetit lokal për problemin e transferimit të pronave, kullotave dhe pyjeve të bashkive e komunave, ka qenë 

objekt i takimit të djeshëm të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, me të zgjedhur vendorë të Qarkut të Vlorës dhe atij të Gjirokastrës. Takimi u zhvillua në qytetin e Sarandës, nga ku ministri u shpreh se është ambicie e qeverisë për të realizuar në mënyrë konkrete dhe të shpejtë procesin e decentralizimit. Nishani shoqërohej edhe nga zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, drejtoresha e Agjencisë së Transferimit të Pronave, Dhurata Çupi etj. "Duhet vepruar me hapa konkretë jo vetëm për të performuar, por edhe për të realizuar procesin e decentralizmit”, tha ministri i Brendshëm. Duke pasur prona në pronësi, do të ketë jo pak mundësi ekonomike dhe financiare për më shumë shërbime cilësore ndaj komuniteteve që qeverisjet vendore drejtojnë. Kalimi i pronave në pronësi të pushtetit vendor do të rrisë përgjegjësinë e mënyrës së administrimit të pronave, prandaj ky proces duhet të jetë korrekt". Në diskutimet e tyre, kryetarët e komunave të Sarandës kanë kërkuar që të shfrytëzojnë si pushtet vendor zonat turistike, të cilat janë nën administrim të ministrive. Kryetari i komunës së Mesopotamit, Themistokli Kaishi, kërkoi në varësi të saj Syrin e Kaltër. "Duke qenë në territorin e komunës së Mesopotamit, kjo komunë duhet të ketë edhe të drejtën e menaxhimit të kësaj pasurie", u shpreh ai, ndonëse kjo zonë e shpallur monument natyror është nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Ujërave. Edhe kryekomunari i Finiqit, Ziso Lluci, kërkoi në varësi të tij zonën turistike të Karahaxhit. Por, ministri Nishani u është përgjigjur se kërkesat do të shqyrtohen, ndonëse nuk duhet të mbeten peng të zonave të veçanta.                sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›