E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e tetë e grevës, ministria mbështet studentët

Studentët e Bujqësorit duhet të kalonin tetë ditë grevë urie, disa net në shërbimin infektiv dhe fundjavë pa energji elektrike në mënyrë që t‘u dëgjohej zëri. Pasi kanë bllokuar dje mësimin në Universitetin Bujqësor, pas protestave të dhjetëra studentëve të tjerë dhe pas reagimit nga shoqëria civile, studentët kanë mundur të marrin përgjigje për kërkesat e tyre, për të vazhduar studimet e nivelit të dytë. Dje, rreth orës 20:00, shefja e kabinetit në Ministrinë e Arsimit dhe përfaqësues nga Universiteti Bujqësor kanë shkuar pranë grevistëve për t‘u dhënë lajmin e mirë. Të gjithë studentët do të pranohen për të vazhduar studimet në nivelin e dytë. Me apo pa mesatare, studentët do të nisin studimet për të marrë një diplomë të nivelit të dytë, ashtu siç kishin kërkuar më parë, për të qenë atraktivë dhe më të kualifikuar për tregun e punës. "Tani po bëhemi gati të lëmë godinën, e mbyllëm grevën e urisë, kërkesat tona u dëgjuan, sapo na u dha informacioni që do të futemi të gjithë në DND", tha organizatori i grevës, Entel Agolli. Ka mjaftuar haberi i shefes së kabinetit për të mos u futur në grevë urie edhe një pjesë tjetër e studentëve të Universitetit Bujqësor.

Greva

Pesëmbëdhjetë studentë të degës agrobiznes dhe politika agrare u futën në grevë urie nëntë ditë më parë. Gjendja e tyre shëndetësore u përkeqësua nga dita e tretë e grevës. Për ditë të tëra, studentët kanë qenë me probleme shëndetësore, dhembje koke, ulje tensioni, debolesë, marrje mendsh. Të paktën të 15 kanë "vizituar" shërbimin e infektivit këto tetë ditë. Një pjesë e kanë gdhirë brenda shërbimit deri sa kanë marrë pikën e fundit të serumit.

Gjendja shëndetësore e studentëve është përkeqësuar sidomos tre ditët e fundit dhe dje, kur çdo natë në spital dërgoheshin të paktën katër studentë. Ndërsa dje, një vajze 20-vjeçare i kanë rënë të fikët dhe ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Morali i tyre ka rënë edhe kur ditën e shtunë, në mënyrë të qëllimshme, u është hequr energjia elektrike, një mënyrë kjo për t‘i përzënë me lezet nga auditorët e shkollës. Gjatë ditëve të grevës askush nuk ka shkuar t‘i takojë ata veç kreut të zyrës së konsumatorit, Altin Goxhaj, dhe përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Enkeleda Shkreli. Dy ditë më parë, studentët grevistë kanë shkuar në zyrën e rektorit, por nuk kanë arritur të diskutojnë. Vetëm dje, përfaqësues të Universitetit Bujqësor bashkë me përfaqësuesen e Ministrisë së Arsimit kanë takuar studentët, duke i premtuar se do të pranohen të gjithë në DND.

Kërkesat

Dje, studentët grevistë, janë larguar në shtëpitë e tyre të kënaqur se më në fund do të jenë përsëri në auditorë për të vazhduar ciklet e tjera të formimit arsimor. Kjo është hera e dytë që studentët shqiptarë futen në grevë urie, në mënyrë që autoritetet arsimore të marrin në konsideratë kërkesat e tyre.

Bashkë me ta, më të kënaqurit, do të jenë prindërit, të cilët i kanë shoqëruar fëmijët edhe në protestën e zhvilluar pak ditë më parë pranë Kryeministrisë. Qëllimi i grevës së studentëve të Bujqësorit ishte pranimi i tyre në ciklin e dytë të studimit, pa vendosur kriterin e mesatares.

Dekani Bahri Musabelliu

Bahri Musabelliu, dekani i Ekonomikut dhe Agrobiznesit, e cilësoi situatën absurde dhe abuzive zaptimin e ambienteve të fakultetit nga studentët. "Në këtë godinë ndodhen të depozituara e gjithë arshiva e universitetit, sekretaria mësimore, zyra e studimit dhe nëse është pezulluar mësimi këtu, realisht është pezulluar dhe në fakultetet e tjera", tha Musabelliu. Dekani i fakultetit pranoi se ishte bërë kallëzim penal ndaj studentëve pasi, siç tha ai, nuk mund të lejohet që 3500 studentë të këtij universiteti të pezullojnë mësimin për shkak të një grupi studentësh.

Enkeleda Shkreli

Partia Socialiste reagon në mbështetje të studentëve grevistë të Fakultetit Ekonomik Agrobiznes në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Deputetja socialiste, Enkeleda Shkreli, në një prononcim për median, akuzoi Kryeministrin Berisha si përgjegjës për situatën. "Sot, Sali Berisha, duhet të hapë gojën e t‘u thotë atyre djemve e vajzave çfarë do të bëjë për të trajtuar logjikshëm shqetësimin e tyre, përpara se të jetë vonë. Sot, Sali Berisha, duhet madje të kërkojë falje, pse i la gjërat të vijnë deri këtu, përpara se të jetë vonë. Përpara se të jetë vonë, Sali Berisha duhet të vijë në vete dhe të kuptojë se ai nuk mund të sillet si një njerk harbut me fëmijët e Shqipërisë që nuk quhen Argita apo Shkëlzen."

Ministria e Arsimit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se pas negociatave midis rektoratit dhe studentëve grevistë, Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës i kërkoi ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ndryshimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave që konsiston në rritjen e numrit të vendeve të studimit për Diplomë të Nivelit të Dytë (DND). Ministri i Arsimit dhe Shkencës, menjëherë i propozoi Këshillit të Ministrave, projektvendimin në fjalë. Këshilli i Ministrave e miratoi projektvendimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Në këtë mënyrë, studentët e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit të UBT mund të fillojnë të regjistrohen për studimet e Nivelit të Dytë (DND), duke nisur që nesër. Ministri i Arsimit dhe Shkencës falënderon rektoratin e UBT dhe dekanatin e Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit për bashkëpunimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›