E Shtunë, 31 Tetor 2026

13 deputetë ndalen te porta e tunelit

Një grup deputetësh inspektuan dje për herë të parë tunelin e Thirrës, pjesë e rrugës Durrës-Kukës. 13 deputetë kërkuan të shihnin nga afër shembjet në këtë tunel, por nuk janë lejuar që të hyjnë brenda nga punonjësit e kompanisë që kryen punimet, të cilët thanë se kjo është e pamundur për shkak të kushteve teknike. Nën drejtimin e menaxherit të projektit të tunelit Thirrë-Kalimash, Daren Mort, 13 deputetët socialistë janë mbledhur para tunelit që prej disa ditësh po qëndron i bllokuar, për shkak të punimeve që po kryhen në të. Deputeti socialist Erjon Braçe, në një komunikim me mediat, tha se punimet mbarojnë në mes të vitit që vjen. "Tashmë është vërtetuar që rruga Durrës-Kukës është një rrugë elektorale", deklaroi ai. Braçe vuri në dukje se menaxheri u ka bërë të ditur se tuneli duhet të përfundonte në verën e vitit 2010. "Janë shkelur parametrat e kontratës, sipas menaxherit tuneli do të përfundonte në 2010, në verë të këtij viti, kurse ai u përurua përpara kohe", vijoi më tej deputeti socialist.

Deputetët nuk u lejuan të hynin në brendësi të tunelit. Sipas menaxherit Mort, shembjet janë të rrezikshme dhe nuk mund të hyhet në tunel. "Patëm rrëshqitje të masivit në tunel dhe nuk mund të hyjmë brenda. Mesi i tunelit paraqet probleme", pohoi Mort. Menaxheri i projektit për tunelin pohoi gjithashtu se tuneli nuk ka mbaruar krejtësisht dhe se kontrata me qeverinë përfundon në fund të verës së ardhshme. Zyra e shtypit pranë Partisë Socialiste bëri të ditur se disa persona, eksponentë të PD-së të kësaj zone kanë tentuar të krijojnë një situatë jo normale, duke u kërkuar deputetëve që të hyjnë në Parlament. "Ndërsa deputetët socialistë po bisedonin me përfaqësuesit e firmës ‘Bechtel‘, nënkryetari i Komunës së Fanit dhe disa persona të tjerë përfaqësues po ashtu të administratës së komunës kanë ndërhyrë, duke krijuar një situatë jo normale dhe duke u kërkuar deputetëve socialistë të hyjnë në Kuvend", thuhet në këtë njoftim.

Punimet

Tuneli, që ndodhet në lartësinë 800 metra mbi nivelin e detit për momentin ngjan me një zonë të ndaluar, ku nuk mund të hysh për të mësuar se çfarë ndodh në të. Në degëzimin e mbikalimit 2-300 metra para hyrjes së tunelit ndodhen blloqe betoni katrorë dhe konikë, si dhe tabela me ngjyrë të kuqe që njoftojnë ndalimin e kalimit në tunel. Korrespondenti i gazetës "Shqip" gjeti aty dje disa roje të sigurisë së tunelit, të cilët i treguan se nuk mund të vazhdojë më tej. "Në tunel, aktualisht po nxirren inertet në anën e Thirrës, inertet e pjesës që u shemb para disa ditësh, ndërsa në galerinë veriore po bëhet betonimi, nuk mund t‘ju them më shumë", tha punëtori, duke shtuar se për t‘u afruar tek porta duhej më parë një leje nga eprorët, të cilët do të bënin edhe shoqërimin së bashku ekspertët e sigurimit teknik. Ndërkohë sa më shumë afrojnë festat e fundvitit, aq më shumë zgjohen thashethemet dhe ndoshta hamendjet nga dëshira, që tuneli do të rihapet përkohësisht. Por askush nuk e pohon zyrtarisht. Edhe afatet e përfundimit të plotë që jepen herë pas here nga inxhinierët, gjithashtu jozyrtarisht, janë thjesht spekulime. Asgjë e saktë nuk mund të thuhet për atë se kur do të përfundojë dhe se, nëse mund të hapet apo jo për vitin e ri. Ajo që pohojnë punëtorët është se atje po punohet me tre turne dhe se për të kaluar nga një anë e tunelit në tjetrën, kalojnë ose me këmbë nëpër galeri ose nëpër rrugën mbi tunel, me makinë.

Bllokimi

Përkeqësimi i motit e ka shndërruar mbikalimin e tunelit, apo siç thirret ndryshe "by pass"-i në malin e Kalimashit e Thirrës, në një segment rrugor të rrezikshëm. Dje paradite, në përpjekje për të kaluar nga njëra anë e tunelit në tjetrën, në majë të malit janë bllokuar rreth 60 automjete, kryesisht furgonë pasagjerësh, fuoristrada, ndonjë kamion si dhe disa autovetura. Kanë qenë udhëtarë të ndryshëm që kanë lajmëruar me celular për situatën e krijuar. Bllokimi ka ndodhur në orën 08.00 për shkak të disa furgonëve që vinin nga Tirana për Kukës. Një shtresë e hollë dëbore, që kishte rënë gjatë natës, e kishte vështirësuar kalimin e majës së malit të Thirrës, që është rreth 1250 metra mbi nivelin e detit. Vetëm rreth mesditës, një traktor me goma ka tërhequr me kavo furgonët e mbetur, duke hapur kalimin për dhjetëra automjete të tjera. "Është një tmerr i vërtetë, një varg i pafund makinash janë bllokuar dhe po ndjejmë shumë ftohtë dhe frikë" ka thënë në telefon një pasagjer që udhëtonte për Tiranë. Edhe Policia e Kukësit pohon se mbikalimi te tuneli është bërë disa herë problem, por deri tani nuk ka pasur raste aksidentesh me pasojë jetën e njerëzve.

Rruga mbi malin e Thirrës shkurton distancën e përgjithshme të rrugës në 53 kilometra, nga 67 që e shkurton tuneli. Ndërkohë kalimi mbi tunel, në kohë të mirë zgjat rreth 60 minuta për furgonët, ndërsa për fuoristradat nga 35-50 minuta. Zakonisht furgonët e Kukësit bëhen në karvanë kur marrin rrugën në fjalë, qoftë për të ndihmuar njëri-tjetrin në raste të vështira, qoftë për të mos humbur drejtimin, pasi në bjeshkët e Surroit e të Thirrës ndodhen një numër rrugësh ku kamionët prej vitesh mbartin dru zjarri dhe lëndë ndërtimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›