Korçë, vapa shkakton dyndje fëmijësh në pediatrik
Dorëzohen vogëlushët nga vapa në juglindje, mori vizitash në Pedikatrik. Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë shtuar problemet me shëndetin, teksa ata që janë vënë në vështirësi të madhe janë fëmijët e moshave të vogla. Të paktën 60 fëmijë paraqiten mesatarisht çdo ditë për tu vizituar dhe marrë mjekime në spitalin Pediatrik të Korçës. Sipas drejtuesve të spitalit, fëmijët që paraqiten me më shumë probleme gjatë këtyre ditëve të nxehta të muajit qershor janë nga mosha 0-12 vjeç. Shenjat e përbashkëta që kanë pacientët e vegjël, janë temperaturë e lartë, diarre, laringit etj.
Mjekët pediatër sqarojnë se imuniteti i dobët i kësaj grupmoshe nxit prekjen më lehtë nga infeksionet dhe viruset e ndryshme që qarkullojnë në këtë stinë me temperatura gati të pazakonta për një rajon me klimë të freskët në verë siç është Korça. Ndërsa vizitat ditore dhe shtrimet janë të mëdha për periudhën, në spitalin e fëmijëve nuk mungojnë edhe vizitat mjekësore në qendrat ambulatore të lagjeve, në qytet në mënyrë të veçantë ku numri i të sëmurëve sa vjen dhe rritet më shumë. Prej disa ditësh, vihet re një rritje e sëmundshmërisë te fëmijët, ndërsa temperaturat maksimale të paktën në 24 orët e fundit në juglindje kanë arritur në nivelin e 29 gradë celsius. Ndonëse rastet e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore janë të konsiderueshme deri tani situata duket normale dhe ende mjekët nuk e cilësojnë atë si një epidemi. Megjithatë sipas tyre kjo gjendje duhet konsideruar si mjaft e rrezikshme, nëse nuk merren masat në kohën e duhur. Për këtë arsye kërkohet një bashkëpunim maksimal mes prindërve e mjekëve, për të bërë të mundur shmangien e shfaqjes së sëmundjeve dhe ndërlikimeve që mund të shfaqen prej saj. Situata e rënduar për stinën shkaktohet kryesisht nga ndryshimi i temperaturave, që ndikon në sistemin imunitar të organizmit të fëmijëve. Duhet pranuar se numri i vizitave dhe fëmijëve që paraqiten me ndërlikime, gjatë kësaj periudhe, ka qenë i lartë dhe gati çdo ditë paraqiten për vizitë deri 60 fëmijë në ditë. Një pjesë e tyre pas konsultës me mjekun kthehen në shtëpi, ndërsa disa hospitalizohen. Numri i shtrimeve kalon deri dhe 3-4 raste në ditë, por kryesisht ato janë shtrime ditore. Mjekët këshillojnë paraqitje të menjëhershme të mjeku pediatër në rast të shfaqjes së shqetësimeve të para tek fëmijët. Por mjekët pediatër tërheqin vëmendjen që prindërit të tregohen të rezervuar në marrjen e antibiotikëve, nëse nuk është e nevojshme dhe vetëm në rastet kur rekomandohet nga mjeku.