E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, vazhdon moti me bore dhe temperatura të ulëta

KORçë- Në rajonin e Korçës vazhdon moti me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta. Mëngjesi i ditës së dielë e ka gjetur Korçën dhe krejt rajonin me temperatura minus 5 deri 7 gradë celcius dhe me rrugë me akull. Ndërkohë, që nga ora 09.00 kanë filluar reshje bore me intensitet. Gjatë mëngjesit rrugët kanë qënë të ngrira në Qafën e Qarrit, Qafën e Thanës dhe përgjithësisht në zonat malore. Që në orët e para të mëngjesit është hedhur kripë dhe skorie në të gjitha rrugët e ngrira dhe ato janë të kalueshme për automjetet. E bllokuar gjatë pasdites të së shtunës, ka qenë rruga e fshatit Dardhë, e cila u hap në mbrëmjen e djeshme vonë. Edhe gjatë ditës së dielë, kjo rrugë është e kalueshme vetëm me zinxhirë. E kalueshme me zinxhirë është edhe rruga e fshatit turistik të Voskopojës, ndërkohë që rruga e komunës Lekas, është e bllokuar nga reshjet e shumta të dëborës, që kanë rënë në segmentin rrugor Gjergjevicë- Voskopojë, ku lartësia i kalon 1000 m. Policia e qarkullimit rrugor vazhdon patrullimet në rrugët më problematike dhe nuk lejon qarkullimin e automjeteve pa zinxhire. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›