E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet e Holivudit festojnë bashkë “Shën Valentinin”

 Shën Valentini ka mbledhur bashkë gjithë yjet e Hollivudit. Në fakt nuk bëhet fjalë për ndonjë festë kolektive, por për një film, ku interpretojnë emra mjaft të njohur të kinemasë botërore. Julia Roberts, Topher Grace, Anne Hathaway, Bradley Cooper , Ashton Kutcher, Jessica Alba, Jessica Biel, Jennifer Garner , Queen Latifah, Shirley MacLaine, Patrick Dempsey, Eric Dane, Jamie Foxx, Taylor Lautner e Emma Roberts. I ka mbledhur të gjithë në një ekran, regjisori i “Pretty Woman”, Gary Marshall, për filmin “Valentine’s Day”. Dhe për premierën e tij është zgjedhur pikërisht vigjilja e festës së të dashuruarve. Filmi nuk mungon as në Tiranë. Kështu që, për ata që duan të marrin ca doza optimizmi, “Valentine’s Day” shfaqet në të dyja kinematë. Ashtu siç përfundojnë rëndom filmat e Gary Marshallit, edhe “Valentine’s Day”, mbyllet me një fund të lumtur. Të gjithë personazhet, qofshin vetëm, apo në çift, në fund e gjetën dashurinë e tyre. Për t’i bërë gjithë shikuesit të ndihen pjesë e filmit të tij, Marshall sjell në ekran histori nga më të ndryshmet, personazhe që i përkasin shtresave sociale, por edhe moshave të ndryshme. Që nga një luleshitës, tek një yll futbolli, apo një menaxhere, që nga një nxënës i fillores, tek të moshuarit, nga një adulter, tek një homoseksual. Marshall nuk mund të mos përfshinte në filmin e tij edhe aktoren e preferuar, Julia Roberts, e cila ndryshe nga filmat e tjerë të regjisorit, na shfaqet e pa trukuar, nën uniformën e një ushtarakeje, e cila udhëton 28 orë për të parë për pak orë djalin e saj. Ngjyra të ndezura, shumë lule, por edhe ndonjë batutë, karakteristike për filmat e regjisorit. Plot 90 minuta që mund t’i shohësh vetëm për t’u ndierë optimist, se në fund “dashuria triumfon”, por edhe në shoqëri të mirë, për t’u ndjerë pjesë e të lumturve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›