Aleatët e PS: “Topi” në zyrën e Topit. Të shtrojë tryezën tjetër
TIRANE-Përfundoi takimi i zhvilluar sot nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama me aleatët e tij, takim i cili ka qenë informues dhe nuk ka vendosur për masat e mëtejshme. Pasi u njohën me bisedimet që Rama kreu dje me Berishën, aleatët e Partisë Socialiste ia faturuan zgjidhjen e krizës Presidentit Bamir Topi. Ata kërkuan që Topi të negociojë menjëherë një tryezë tjetër të dytë dhe jo në nivel ekspertësh sic kërkoi Berisha, por në nivel kryetarësh. Secili kryetar i partive aleatë të PS mbështeti iniciativën për hetim të pakushtëzuar të zgjedhjeve Në përfundim të takimit, Spartak Ngjela deklaroi për mediat se partia “Ligj dhe Drejtësi”, e konsideroi tryezën e sotme me Ramën një progres, ndërsa ka deklaruar se mbështet tryezën e zhvilluar nga presidenti Topi. Ngjela theksoi se takimet nuk kanë pse të vazhdojnë në nivel ekspertësh sic kërkoi Berisha, por theksuan se tryeza e ardhshme të jetë në nivel kryetarësh, si ajo e djeshmja e shtruar nga Topi. “Nuk ka bisedime në nivel ekspertësh pasi palët janë takuar në tryezë, tryeza është mes dy kryetarësh dhe ska pse të takohen në nivel ekspertësh. Të dy do bisedojnë për cështjen e krizës, cështje që ose do të zgjidhet me tryezë ose populli do të drejtën kushtetuese dhe do zgjedhë. Theksojmë se jemi për transparencë përfundimtare dhe të thellë të zgjedhjeve të 28 qershorit”. Ngjela ka shtuar se gjatë takimit është diskutuar edhe për një protestë të madhe, duke theksuar se “aty ku u ndanë qëndrimet me Ramën ishte se unë nuk isha dakord për datën e një proteste, pasi kjo mund të shkaktonte probleme për tryezën e zhvilluar me presidencën. Por, u la që kjo datë të diskutohet në një moment tjetër”. Sipas Ngjelës, vetëm nëse dështon tryeza e thirrur nga presidenti, atëherë opozita do të nisë sërish protesta. I drejtpërdrejtë në qëndrim ka qënë i dyti në radhë deklaratash për median Paskal Milo, kreu i Partia Demokracia Sociale. “Nuk ka bisedë të drejtpërdrejt ditët e ardhshme midis dy liderëve. Por tashmë topi është në zyrën e Topit. Unë gjej rastin ti bëj thirrje presidentit të respektojë të drejtën kushtetuese për hapjen e kutive. Kjo nuk do të jetë një favor që dikush mund ta interpretojë se presidenti po i bën opozitës”, tha Paskal Milo, nga Partia Demokracia Sociale duke shtuar se “Presidenti i Republikës do të jetë në lartësinë e detyrës që i takon dhe të respektojë opozitën dhe të drejtën e saj kushtetuese. Presidenti do të jetë garant për tu mbledhur në tryezë tjetër dhe me verdiktin e tij do të respektojë të drejtën e opozitës dhe mbi të gjitha të ardhmen e Shqipërisë në BE”. Edhe kryetari i G99, Erjon Veliaj theksoi se “tani i takon Presidentit të vendosë. Sot Presidenti ka barrën më të madhe të vendosë drejtësi”. Sa i përket tryezës së djeshme, Veliaj vuri në dukej se tryeza ishte në kohën e duhur dhe produktive deri diku. “Ishte koha që ti thoshin në sy Berishës që jo vetëm është burrë i pabesë, por edhe i padrejtë se shkeli ligjin. Kjo është një ditë e Shën e Valentinit dhe i kërkojmë Sali Berishës që të dashurohet me transparencën dhe jo të na urdhërojë ne të dashurohemi me njeri-tjetrin”. Nderkohe sipas kreut te PDK-se, Nard Ndoka “opozita nuk ka një listë kërkesash, por kërkon transparencen e zgjedhjeve”. “Kjo eshte e drejte e cdo qytetari per ta pasur nje gje te tille. U ra dakord qe te kete nje date per protestat ne nje kohe sa më te shpejt”, theksoi Ndoka. Tryeza e sotme e aleatëve të Partisë Socialiste pason tryezën e djeshme të Presidentit që negocoi takimin Rama-Berisha. Dje Edi Rama u ul ne tryezen e Presidentit Topi per te negociuar me Berishen rreth nje zgjidhje. Por pas takimit me dyer te mbyllura, kreret u deklaruan per mediat me pas se nuk jane lekundur nga qendrimet e tyre. Prej afro 6 muajsh deputetët e PS-së të opozitës kanë bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë duke pretenduar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit me hapjen e kutive të votimit. Por shumica thotë se hapja e tyre është joligjore dhe e pamundur sa kohë, sipas saj, kanë folur gjykatat e vendit. (d.b/BalkanWeb)