E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, vritet me çifte 60-vjeçari pas sherrit për kullotat, në pranga autori

Një 60 vjeçar është vrarë me çifte pas një konflikti për kullotat në Korçë. Ngjarja ndodhi në mbrëmjen e ditës së djeshme në fshatin Podgorie. Sipas burimeve nga policia, viktima është 60-vjeçari Reshat Hadri. Policia vuri më pas në pranga autorin e krimit, fqinjin e tij 50-vjeçar, Shefqet Goroveci. Gjithçka ka nisur pasi bagëtitë e 60-vjeçarit kanë hyrë në tokën e fqinjit të tij. Kjo e ka acaruar atë, ndërkohë që midis të dyve kanë nisur debatet. Fjalët fyese të ndërsjellta kanë bërë që ata të nisin të konfrontohen, ndërkohë që 50-vjeçari ka marrë një çifte që e mbante dhe me të ka qëlluar ndaj Hadrit. Saçmat e kanë kapur të moshuarin në trup, duke i shkaktuar atij plagë të rënda. Me gjithë ndihmën e parë të marrë, ai ka humbur jetën si pasojë e plagëve dhe humbjes së gjakut. Në vendngjarje shkoi edhe policia. Ajo kreu edhe arrestimin e autorit, si dhe sekuestroi armën e krimit. 50-vjeçari Goroveci u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›